Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare - Arbërishtja në rrezik të shuhet

Arbërishtja e shqiptarëve të Italisë, në kuadrin e gjuhëve të rrezikuara, si pjesë e 50 gjuhëve në shuarje, ishte temë diskutimi të enjten në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që po mbahet në Prishtinë.

Studiuesit e gjuhëve vlerësojnë se shuarja e mundshme e arbërishtes është humbje për historinë dhe kulturën shqiptare.

Profesor/doktori Edmond Cane nga Tirana, si kontribues i konferencës së Fondacionit për Gjuhët e Rrezikuara (FEL), thotë për KALLXO.com se arbërishtja është pjesë e gjuhëve të rrezikuara e cila po shkon drejt shuarjes.

Kjo sipas tij është po aq sa humbje shqiptare, sa edhe humbje humane, pavarësisht që në Itali është kërkuar të futet në shkolla arbërishtja.

“Përgjatë dekadave të fundit, dhe përgjatë shqetësimeve në rritje për bjerrjen e arbërishtes në komunitetin italo-shqiptar në Itali, po artikulohet për një kohë të gjatë futja e mësimdhënies së arbërishtes në shkolla. Në 1999 Italia aprovoi edhe një ligj në mbështetje të minoriteteve gjuhësore (12 komunitete të tilla), mbi bazë të cilit këto minoritete gjuhësore mund të kërkojnë dhe të përfitojnë vëmendjen dhe mbështetjen shtetërore italiane”- tha Cane.

Ai bëri të ditur që arbërishtja nuk merret seriozisht nga institucionet në Shqipëri pavarësisht kapaciteteve që kanë.

“Pavarësisht qëllimeve më të mira, institucionet në Shqipëri janë aktorë të jashtëm për arbërishten e rrezikuar, dhe nuk kanë mundësi të jenë të efektshëm apo të suksesshëm. Përkundrazi, institucionet në Shqipëri kanë kapacitete, mundësi, mjete dhe mund të kontribuojnë vlera shumë të rëndësishme, mund të ndihmojnë për ndërgjegjësimin, të japin kontribute gjuhësore, korrikulare, koordinojnë në zhvillimin dhe zbatimin e programeve, të ndihmojnë në lidhjen mes koncepteve për programeve dhe burimeve financiare”- theksoi Cane.

Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) mundëson dhe ndihmon dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhëve të rrezikuara.

Në anën tjetër, Eda Behreni studiuese e gjuhës nga Shqipëria, në një studim tregon për ndryshimet e gjuhëve ndër vite në Ballkan.

“Ballkani si gadishull i vogël me pikëtakime gjuhësore, dhe me degë të ndryshme të gjuhëve indo-evropiane dhe jo indo-evropiane kanë jetuar në kontakt me njëra-tjetrën; variantet e shqipes, greqishtes, latinishtes, sllavishtes, gjermanishtes, shumica prej këtyre kanë krijuar në shekuj diasporat e tyre, që sot konsiderohen diaspora të vjetra nëpër mesdhe dhe botë”- thekson ajo.

Behreni shton se gjuhët kanë status të rrezikuar, në mesin e  tyre edhe arbërishtja.

“Pothuajse të gjitha gjuhët e mbijetuara të këtyre komuniteteve të diasporës së vjetër janë gjuhë minoritare dhe të minoritetizuara që sot kanë një status të rrezikuar, si për shembull gjuhët arbëreshe në Itali dhe Kroaci, gjuha rumune, arvanitishtja, judeo-spanjishtja (ladinisht), grikoja, sllavo-molisanishtja, gjuha algerese dhe ajo istriote, këto janë vetëm disa prej tyre” – thuhet në studimin e saj.

Të premten është dita fundit e programit të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili ka filluar prej 16 gushtit në kryeqytetin e Kosovës.