Promovohet libri ‘Kthesa e dramës moderne (shek. IX-XX)’ i Muhamedin Kullashit

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot, librin “Kthesa e dramës moderne (shek. IX- XX)” të akademik Muhamedin Kullashit.

Libri “Kthesa e dramës moderne (shek. IX- XX)” i Muhamedin Kullashit, me nën titullin, “Dramaturgjia e Isbenit dhe Strindbergut” trajton aspekte të shumta të dramaturgjisë botërore, duke u ndalur në krijimtarinë dramatike të dy skandinavëve, norvegjezit Henrik Isben dhe suedezit August Strindberg.

Studiues dhe njohës të dramaturgjisë thanë gjatë këtij promovimi se Muhamedin Kullashi ka botuar dhjetëra libra në gjuhën shqipe dhe të huaja për çështje të ndryshme, filozofike, politike, sociale, etj.

Akademikja Justina Pula, tha në hapje të promovimit, se akademik Kullashi ka dhënë një kontribut shkencor dhe politik për Kosovën.

Ndërsa, akademik Eqrem Basha ka potencuar se studimi “Kthesa e dramës moderne (shek. IX- XX)”, vjen si sintezë e interesimit të Kullashit për dramën moderne.

“Libri jep një pasqyrë të gjerë të teatrit që nga antikiteti e deri te ai modern, duke u ndalur në dramaturgjinë e Isbenit dhe të Strindbergut”, ka thënë akademik Basha.

Kurse, Haqif Mulliqi, profesor i dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë, ka thënë se libri i Kullashti është një studim për dramën dhe tekstin dramatik në përgjithësi.

“Libri, ndër të tjerash, është një studim i jashtëzakonshëm mbi krijimtarinë dramatike të Isbenit dhe Strindbergut”, ka potencuar ndër të tjerash Mulliqi.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe autori i veprës akademik Muhamedi Kullashi.

Kullashi ka përfunduar studimet për filozofi dhe letërsisë frënge në Zagreb. Ka qenë profesor në Universitetin “Parisi 8”. Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte Ambasador i Kosovës në Francë.

Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.