"Nikola Koperniku", universiteti në Poloni ku mësohet e studiohet gjuha shqipe

Në listën e programit të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare sot u mbajt ligjerata nga profesori polak Artur Karasinski – Fjalëformimi i gjuhës shqipe në kuadër të metodologjisë së shkollës polake të sintaksës semantike.

Universiteti ‘Nikola Koperniku’ në Torun të Polonisë, është vendi ku studiohet e mësohet gjuha shqipe pjesë e Departamentin e Ballkanistikës. Në këtë universitet, kanë mësuar breza studentësh, jo vetëm shqiptarë e polakë por edhe të vendeve të tjera.

Karasinski si profesor në universitetin ‘Nikola Koperniku’ dhe si studiues i ‘Gjuhësisë Ballkanike’, shprehet i kënaqur që këtë vit pjesë e seminarit ishin studentët polakë dhe shpreson që ky bashkëpunim të shkojë edhe më tutje.

Ndërkaq, Zyber Neziri, si student i atëhershëm i këtij universiteti, në një prononcim për KALLXO.com tha që eksperienca e tij ka qenë shtyllë e rritjes profesionale. Siç e quan ai ‘shkolla polake’ është vatra ku ka filluar rrugën e tij si gjuhëtar e studiues i mirëfilltë.

“Studentët që shkollohen në Universitetin e Torunit sjellin një vlerë njohorish të shqipes që fatkeqësisht studentët e Universitetit të Prishtinës nuk e kanë, kjo duhet të jetë një shkollë model për neve sepse ne kemi nevojë ti njohim të tjerët dhe në këtë mënyrë mund ta njohim vetvetën”- tha ai.

Sipas tij, veçantia e këtij universiteti qëndron në atë që përveq se studentët marrin diploma me një përgatitje shumë solide, jo vetëm për shqipen, shqiptarët, historinë, traditën e kulturën tyre. Ai shtoi se ata kuptojnë dhe studiojnë edhe për popujt përreth që nuk e flasin shqipen e që jetojnë në një bashkëjetesë ballkanike, pra për sllavët, dhe Ballkanistikën në tërësi.