Sekuestrohen tri armë zjarri, arrestohen katër persona në Podujevë dhe Fushë-Kosovë

Policia e Kosovës njofton se nga zyrtarët policorë, në dy raste të ndara janë arrestuar katër persona të dyshuar për kanosje dhe janë sekuestruar tri armë zjarri.

Për rastin e parë, Policia njofton se në një lokal në rrugën “19 Qershori” në Podujevë, është arrestuar një person i cili pas një mosmarrëveshje dhe ekspozimit të armëve, dyshohet se kreu veprën “Kanosje”. Nga i dyshuari është sekuestruar një armë zjarri e tipit “Zoraki” dhe një karikator.

“Po ashtu në të njëtin lokal, është sekuestruar edhe një armë e tipit TT me një karikatorë dhe 6 fishekë, përderisa dyshuari (i identifikuar nga ana e policisë), ndodhet në arrati”- thuhet në njoftim.

Ndërsa rasti i dytë i cilësuar si “Kanosje”, Policia thotë se ka ndodhur dje, në fshatin Miradi e ulët në Fushë-Kosovë.

Lidhur me këtë rast policia ka identifikuar tre persona të dyshuar.

Policia njofton se, sot me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer kontrolli në shtëpinë e personave të dyshuar dhe objekte përcjellëse, ku policia ka arrestuar tre personat e dyshuar dhe ka sekuestruar armë zjarri, karikatorë e fishekë.

Janë sekuestruar: një armë zjarri Ak-47, tre karikatorë dhe dy fishekë”- thuhet në komunikatë.

Personat e arrestuar në të dyja rastet me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.