Sekuestrohen 24 revole në një veturë në Merdarë, arrestohen 3 persona

24 revole janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në Merdarë në një veturë të tipit ‘Mercedes’.

Vetura me targa të huaja po drejtohej nga një 38-vjeçar me shtetësi gjermane, me inicialet H.H.

Pas arrestimit të këtij të dyshuari, Policia njofton se ka kontrolluar tri lokacione lidhur me këtë rast, dy në Pejë dhe një në Skenderaj.

“Në Pejë janë kontrolluar një pronë e të dyshuarit të parë H.H si dhe një  pronë e të dyshuarit B.H., (1984)  ndërsa në Skenderaj është kontrolluar prona e të dyshuarit  H.Z., (1972)” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Lidhur me këtë rast, Policia thotë se ka sekuestruar gjithsej 24 revole të tipit “Zoraki” 9 mm, të modifikuara nga lloji i armës me plumba me gas, në armë me fishekë zjarri, 1 veturë furgon “Mercedes” me targa gjermane, 650 euro para të gatshme, 3 telefona dhe 1 DVR.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.