Sekretari i suspenduar i MSh-së nuk sqaron se si u blenë mjetet anti-Covid 400% më shtrenjtë

Sekretari i suspenduar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, nuk ka dhënë sqarime specifike sa i përket blerjeve të shtrenjta të mjeteve mbrojtëse gjatë kohës së pandemisë, nga ana e MSh-së, në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Kurti, ku po merret në pyetje si dëshmitar.

Anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se Ministria ka nënshkruar kontrata për maska e dorëza me çmime tejet të shtrenjta.

“Këtu e kam çmimin për dorëza, që është çmimi indikativ 4 cent, ndërsa Ministria e Shëndetësisë herën e parë ka nënshkruar kontratën me çmim të dorëzave 6 centë, ndërsa më pas me datë 23 prill përkundër që e ka pas çmimin referues 4 centë, ka nënshkruar kontratën me 44, 49 dhe 52 centë varësisht prej madhësisë së dorëzës”, tha ai.

Deputeti Haxhiu shtoi se e njëjta çështje ka ndodhur edhe me maskat kirurgjikale.

“Çmimi dhe kontrata që ka qenë në ShSKUK ka qenë me 0,016 centë ndërsa është nënshkruar kontrata e re në Ministri të Shëndetësisë me 56 centë. E njëjta gjë ka ndodhë edhe me thasët e kufomave. Çmimi referent është shumë më i lartë 300-400%. Edhe me thasë të kufomave është abuzuar me çmimet, mos me thënë është vjedhë”, theksoi ai.

Kurse, sekretari i suspenduar i MSh-së, tha se këto janë detaje, dëshmitë për të cilat janë në dosje të tenderëve.

“Edhe këto janë detaje, mirëpo unë e thash që çdo kontratë e cila ka ardh në nivelin e zyrtarit kryesor administrativ për t`u firmosur ka qenë dasht t’i plotësojë kriteret. Ndërsa këto janë detaje të cilat në dosje të tenderit me siguri duhet të jenë dëshmi dhe i shtroni zyrtarëve përgjegjës këtë pyetje”, tha ai.

KALLXO.com në qershor të këtij viti ka publikuar hulumtimin për zhvatjet në kohë pandemie, në të cilin tregohet se maskat u blenë 400 për qind më shtrenjtë se çmimi i deklaruar në Doganë.

Hulumtimi tregon se Institucionet e Kosovës kanë paguar çmime të fryra për maskat për mbrojtje nga COVID-19, duke paguar deri në 12 euro për një maskë të tipit FFP2 gjatë kohës së pandemisë.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i maskave është fryrë në tregun e brendshëm, meqë çmimi i deklaruar në Doganë, me rastin e importit të tyre, ishte shumë më i ulët.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se gjatë vitit 2020 janë importuar 36 mijë maska të tipit FFP2. Prej tyre, 31 mijë e 600 apo 87% kanë hyrë në Kosovë me një çmim prej vetëm 2 euro e 46 centë.

Ky çmim i deklaruar në Doganën e Kosovës ishte me qëllim të zhdoganimit të mallit dhe i njëjti është verifikuar nga Dogana. Vendi i prodhimit të këtyre maskave, që kanë hyrë në shtatë ngarkesa të ndryshme, është Kina.

 

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga Qeveria

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-19 nga Qeveria

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 11 août 2020