Zhvatja në kohë pandemie, maskat u blenë 400% më shtrenjtë se çmimi i deklaruar në Doganë

Institucionet e Kosovës kanë paguar çmime të fryra për maskat për mbrojtje nga COVID-19, duke paguar deri në 12 euro për një maskë të tipit FFP2 gjatë kohës së pandemisë.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i maskave është fryrë në tregun e brendshëm, meqë çmimi i deklaruar në Doganë, me rastin e importit të tyre, ishte shumë më i ulët.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se gjatë vitit 2020 janë importuar 36 mijë maska të tipit FFP2. Prej tyre, 31 mijë e 600 apo 87% kanë hyrë në Kosovë me një çmim prej vetëm 2 euro e 46 centë. Ky çmim i deklaruar në Doganën e Kosovës ishte me qëllim të zhdoganimit të mallit dhe i njëjti është verifikuar nga Dogana. Vendi i prodhimit të këtyre maskave, që kanë hyrë në shtatë ngarkesa të ndryshme, është Kina.

Kurse 4 mijë e 400 maska apo 13% e tyre çmimi i zhdoganimit i deklaruar në Doganë ka qenë më i lartë. 2,000 maska të njëjta kanë hyrë me çmime të deklaruara prej 4.9 euro. 800 maska të tipit FFP2 kanë hyrë me një çmim prej 7.38 euro dhe 1,200 të tjera kanë hyrë me çmim 9.84 euro. Kurse 400 maska të tipit FFP2 çmimi i deklaruar në kufi ishte 19.69 euro.

Për dallim nga çmimi i importit, institucionet të ndryshme të Kosovës kanë paguar shumë më shtrenjtë për këto maska përmes kontratave të negociuara e pa konkurrencë. Çmimet e kontraktuara nga këto institucione për maskat FFP2 kanë dallim deri në 9.5 euro me çmimin e deklaruar në Doganë nga kompanitë importuese.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka blerë të njëjtat maska të tipit FFP2 me një çmim prej 12 euro. Kurse, ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka blerë maskat FFP2 me çmim prej 8.9 euro ndërsa të njëjtat maska, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri i ka blerë nga 4.14 euro. Kishte shembuj të mirë edhe në institucionet e Kosovës, siç ishte me komunën e Skenderajt e cila i ka blerë maska FFP2 me çmim prej 3 euro.

Importimi i 36 mijë maskave të tipit FFP2 paraqet një rritje të madhe të importit krahasuar me vitin 2019, kur nuk kishim pandemi. Gjatë gjithë vitit 2019 në Kosovë ka hyrë vetëm një dërgesë me maska FFP2. Në Kosovë janë importuar vetëm 500 maska FFP2 që në total kanë kushtuar 575.38 euro. Një maskë FFP2 në Doganën e Kosovës është deklaruar vetëm 1.1 euro.

Në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, nga muaji janar deri në muajin prill në Kosovë kanë hyrë 12 dërgesa me maska FFP2. Në Kosovë brenda 4 muajve të parë të vitit kanë hyrë 36 mijë maska FFP2. Çmimi mesatar i deklaruar në Doganën e Kosovës për maskat FFP2 në 2020 është 5.32 euro përderisa çmimi më i ulët është 2.35 euro kurse çmimi më lartë është 19.69 euro.

Blerjet e shtrenjta pa konkurrencë 

Për një periudhë prej 23 ditë, nga 6 prilli deri më 29 prill 2020, 7 institucione publike të Kosovës kanë blerë maska FFP2 me çmime të ndryshme që kanë dallim deri në 9 euro. Më së shtrenjti këto maska i ka blerë Zyra e Presidentit të Kosovës, me një çmim prej 12 euro, ndërsa Komuna e Skenderajt të njëjtat maska i kanë blerë me një çmim prej 3 euro.

Më 24 prill 2020, Zyra e Presidentit të Kosovës ka nënshkruar kontratë për “Furnizim me pajisje mbrojtëse preventive kundër përhapjes së Coronavirusit” me kompaninë N.SH.T. “MADE-KOS”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 3,223.71 euro. Kjo kontratë është nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me një kohëzgjatje prej 6 muaj.

ZPRK ka porositur 6 produkte, dezinfektues antiseptik, faculeta dezinfektuese antibakteriale, maska mbrojtëse me filter FFP1, FFP2, FFP3, doreza higjienike, maska njëpërdorimshme, dezinfektimi i zyrave dhe kabinetit të presidentit. Zyra e Presidentit ka porositur 100 maska FFP2 nga 12 euro, që në total i kanë kushtuar 1,200 euro.

Ndërsa Komuna e Skenderajt më 29 prill 2020 ka nënshkruar kontratën për “Furnizim me pajisje mjekësore, për arsye të situatës së krijuar nga Virusi Covid 19 – Ritender” me kompaninë “nDONA” SH.P.K.  Komuna e Skenderajt ka blerë 200 maska FFP2 nga 3 euro, të cilat në total i kanë kushtuar 600 euro. Këto maska janë blerë së bashku me disa produkte të tjera në një kontratë e cila është nënshkruar me procedurë “të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë” me një vlerë të përgjithshme prej 19,960 euro. Produktet tjera që janë blerë nga Komuna e Skenderajt janë: maska mbrojtëse pa filtër, doreza sterile latex S,M,L, rroba mbrojtëse, dezinfektues për duar me përmbajtje 70% ethanol, aspesol, alkool 70%, termometër infrared, shiringa 2 ml me gjilpërë, shiringë 5 ml me gjilpërë, shiringë 10 ml me gjilpërë.

Ndër institucionet që i ka blerë më lirë maskat FFP2 pas Komunës së Skenderajt është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

KEK-u i ka blerë maskat FFP2 me një çmim prej 4 euro, apo 1 euro më shtrenjtë se Komuna e Skenderajt dhe 8 euro më lirë se sa çmimi i paguar nga Zyra e Presidentit.

Më 8 prill, KEK-u ka nënshkruar kontratën për “Furnizim me maska higjienike ditore, maska (FFP2), dezinfektues për duar me bazë alkooli dhe doreza higjienike për një përdorim” me kompaninë “Agani L.t.d ” Sh.p.k. në vlerë prej 55 mijë euro.

Përmes procedurës së ‘negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë’, KEK-u ka nënshkruar kontratë për furnizim me katër produkte, maska FFP2, dezinfektues për duar me bazë alkooli, maska njëpërdorimëshe higjienike, doreza higjienike. KEK-u ka blerë 6 mijë maska FFP2 nga 4 euro, të cilat i kanë kushtuar gjithsej 24 mijë euro.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë me Komunën e Mitrovicës e kanë nënshkruar kontratën për blerjen e pajisjeve mbrojtëse për COVID-19 në të njëjtën ditë, më 6 prill, Ministria e Shëndetësisë ka blerë maska me çmim prej 8.9 euro kurse Komuna e Mitrovicës së Jugut ka blerë maska 1 euro e 10 centë më shtrenjtë, saktësisht 10 euro.

Ministria e Shëndetësisë i ka blera maskat FFP2, 5.9 euro më shtrenjtë se Komuna e Skenderajt kurse Komuna e Mitrovicës të njëjtat maska i ka blerë 7 euro më shtrenjtë se Komuna e Skenderajt.

Më 4 mars 2020, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për “Furnizim Emergjent me pajisje dhe material shpenzues medicinal për mbrojtjen e personelit shëndetësor nga Corona-Virusit – ritender” me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë N.SH.T.”MADE-KOS”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 94,401 euro.

Ministria ka porositur 8 produkte, maska FFP2, veshje XL, veshje XXL, mburojë për fytyrë, dorëza të madhësisë M, dorëza të madhësisë L, dezinfektues për duar dhe termometër infrared. Ministria e Shëndetësisë ka blerë 4 mijë maska FFP2 nga 8.9 euro, të cilat në total i kanë kushtuar 35,600 euro.

Komuna e Mitrovicë është institucioni i dytë pas Zyrës së Presidentit të Kosovës që i ka blerë më shtrenjtë maskat FFP2. Edhe pse Komuna e Mitrovicës së Jugut e ka nënshkruar kontratën për “Furnizime Emergjente Mjekësore – Preparate dhe pajisje tjera për shkak të Pandemisë COVID-19” në të njëjtën ditë me Ministrinë e Shëndetësisë, ajo i ka blerë maskat 1.1 euro më shtrenjtë.

Më 6 prill, Komuna e Mitrovicës së Jugut përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ka nënshkruar një kontratë në vlerë 33.850 euro me kompaninë “KIGA” SH.P.K.

Komuna e Mitrovicës së Jugut duke tentuar të arsyetojë blerjen e maskave me një çmim prej 10 euro e kishte mashtruar opinionin duke thënë se maskat janë të prodhuara në Amerikë.

Kompania që e ka furnizuar komunën dhe Dogana e Kosovës e kanë demantuar Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Agim Bahtirin për origjinën e maskave.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka blerë 6 produkte, maska FFP2, dezinfektues për ambiente të punës, veshje komplet, mburojë për fytyrë, kalaqe dhe maska.

Kjo komunë ka blerë 700 maska FFP2 nga 10 euro që gjithsej i kanë kushtuar 7 mijë euro.

Edhe Komuna e Shtimes dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar kontratën në të njëjtën ditë, më 23 prill 2020, por Komuna e Prishtinës i ka blerë maskat FFP2, 50 centë më shtrenjtë se Komuna e Shtimes.

Kontrata për “Furnizim emergjent me pajisje mbrojtëse për stafin e QKMF-së, për parandalimin e përhapjes së COVID-19” është nënshkruar më 23 prill nga Komuna e Shtimes përmes një procedure të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kontrata është nënshkruar me kompaninë N.SH.T.”MADE-KOS” kurse vlera e përgjithshme e kontratës është 15,748 euro.

Komuna e Shtimes ka porositur 15 produkte: maskë FFP2 me filtër, maskë FFP2 tre shtresore, maskë kirurgjike, kominoshe, doreza jo sterile latex të madhësive M, L dhe S, alkool 70%, aparat për dezinfektim të duarve, substanca dezinfektuese të duarve, termometër infra të kuq, dezinfektues instrumentesh dhe sipërfaqesh, pompë spërkatëse 15 L.

Komuna e Shtimes ka blerë 300 maska FFP2 nga 8 euro, që në total Komunës i kanë kushtuar 2,400 euro.

Në të njëjtën ditë me Komunën e Shtimes, kontratën për “Furnizimi me pajisje mjekësore mbrojtëse për punëtorët shëndetësor të QKMF dhe QMU” e ka nënshkruar edhe Komuna e Prishtinës. Përmes një procedure të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën me vlerë 49,374 euro me kompaninë N.SH.T. “MADE-KOS”.

Komuna e Prishtinës ka porositur 7 lloje të produkteve, maska FFP2, alkool 70%, dezinfektues për hapësirë, dezinfektues për duar, veshje XXL dhe veshje XL. Komuna e Prishtinës ka blerë 1500 maska FFP2 nga 8.5 euro që në total i kanë kushtuar komunës 12,750 euro.

Çmimet e maskave FFP2 sipas Doganës së Kosovës

Nga muaji janar e deri në prill të këtij viti në Kosovë kanë hyrë 36 mijë maska FFP2. Më shumë se gjysma e tyre, 20 mijë maska FFP2 janë deklaruar me çmim prej 2.35 euro, kurse 11,600 maska FFP2 janë deklaruar me çmim prej 2.46 euro. 31,600 maska FFP2 në total kanë hyrë në Kosovë dhe çmimi i tyre i deklaruar në Doganën e Kosovës është 2.35 dhe 2.46 euro.

Vetëm 4,400 maska FFP2 nga maskat që kanë hyrë në Kosovës janë deklaruar me çmim mbi 2.46 euro. Nga këto 4,400 maska FFP2, 1200 maska janë deklaruar me çmim 4.9 euro, 800 maska FFP2 me çmim 4.92, 800 maska FFP2 me çmim 7.38 euro, 1,200 maska me çmim 9.84 euro dhe 400 maska FFP2 me çmim prej 19.69 euro.

Vetëm institucionet e hulumtuara, Komuna e Skenderajt, KEK-u, Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Shtimes, Komuna e Prishtinës, Mitrovica e Jugut dhe Zyra e Presidentit të Kosovës brenda 23 ditëve, nga 6 prilli deri më 29 prilli kanë blerë 12,800 maska FFP2. Njëra nga kompanitë farmaceutike “Agani LTD”, prej të cilës KEK-u ka blerë 6 mijë maska FFP2, ka thënë për KALLXO.com se në 5 muajt e parë të këtij viti ka importuar 12 mijë maska maska të standardit mbrojtës KN95, ekuivante me maskat FFP2.

“Ju informojmë se kompania jonë në periudhën 1 mars 2020 deri në 31 maj 2020 ka importuar 12,000 copë maska të standardit mbrojtës KN95 (që është ekuivalent i standardit FFP2)”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Agani LTD”.

Në përgjigjen e tyre, ata kanë treguar se më 7 prill ka importuar 2 mijë maska të standardit mbrojtës KN95, më 14 prill ka importuar 4 mijë maska dhe më 22 maj 6 mijë të tilla.

KALLXO.com e ka pyetur kompaninë “Agani LTD” në lidhje me çmimin me të cilin i ka zhdoganuar këto maska, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

KALLXO.com ka pyetur edhe kompaninë ‘Made-Kos’ në lidhje me sasinë e maskave FFP2 të importuara dhe çmimin e zhdoganimit por deri në publikimin e artikullit nuk kemi marrë përgjigje.

Nga muaji janar deri në muajin prill të këtij viti, në Doganën e Kosovës kanë hyrë 12 dërgesa me 36 mijë maska FFP2. Të gjitha maskat FFP2 kanë ardhur nga Kina në Kosovë.

Dërgesa me sasinë më të madhe është ajo me 20 mijë maska FFP2 me një çmim total prej 47,165. Një maskë FFP2 nga kjo dërgesa kushton 2.35 euro, që është edhe çmimi më i lirë i deklaruar në Doganën e Kosovës për maskat FFP2.

Në Kosovë kanë hyrë dy dërgesa me nga 400 maska FFP2. Njëra dërgesë ka vlerën 984 euro, ku një maskë FFP2 i bie që është deklaruar me çmim 2.46 euro. Ndërsa dërgesa tjetër me 400 maska FFP2 ka vlerën 7,878 euro, përderisa një maskë është deklaruar me çmim 19.69 euro.

Çmime të tjera të deklaruara në Doganën e Kosovës për maskat FFP2 janë 4.9 euro, 4.92 euro, 7.38 euro dhe 9.84 euro.

Dogana e Kosovës nuk i tregon emrat e bizneseve që importojnë produkte, por vetëm jep qasje në sasinë e produkteve të importuara dhe çmimin e deklaruar. Kjo ka pamundësuar për të bërë lidhshmërinë në mes të çmimit të deklaruar në kufi dhe atij të shitur tek institucionet nga biznese specifike.

Dallimet në çmimet e maskave kirurgjike

Përveç dallimeve në çmimet e maskave FFP2 që i kanë blerë institucionet e Kosovës, dallime ka pasur edhe te maskat kirurgjike.

Nga 30 marsi deri më 18 maj 2020 janë nënshkruar 6 kontrata nga institucione të ndryshme për t’u pajisur me mjete mbrojtëse për COVID-19. Edhe pse të gjitha këto institucione kanë blerë produkte të njëjta, çmimi i tyre ndryshon varësisht prej institucioneve.

Nga 6 institucionet e hulumtuara, Komuna e Prishtinës ka blerë maska kirurgjike me çmimin më të lirë krahasuar me institucionet e tjera. Përderisa Qendra e Studentëve të njëjta maska i ka blerë më së shtrenjti. Komuna e Prishtinës maskat kirurgjike i ka blerë nga 0.50 euro kurse Qendra e Studentëve nga 1 euro.

Komuna e Prishtinës më 23 prill ka nënshkruar kontratën për “Furnizim me pajisje mjekësore mbrojtëse për punëtorët shëndetësor të QKMF dhe QMU” me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë N.SH.T.”MADE-KOS”. Vlera e përgjithshme e kësaj kontratë është 49.374 euro, kur prej tyre 5 mijë euro kanë shkurt për blerjen e 10 mijë maska kirurgjike me nga 0.50 euro.

Vetëm 5 centë më shtrenjtë se Komuna e Prishtinës, të njëjta maska i ka blerë Shtëpia e Shëndetit Mental në Gjilan. Kontrata “Furnizim me Mjete Mbrojtese Medicinale” është nënshkruar më 24 prill, me kompaninë “Agani L.t.d” Sh.p.k. Përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është nënshkruar kontrata me vlerë prej 3,102 euro. Ky institucion ka blerë 2 mijë maska kirurgjike nga 0.55 euro në një vlerë totale prej 1,100 euro.

30 centë më shtrenjtë se Komuna e Prishtinës, maskat kirurgjike i ka blerë Spitali i Përgjithshëm në Gjilan. Spitali i Gjilanit më 18 maj ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Agani L.t.d” për blerjen e 5 mijë maska kirurgjike nga 0.80 euro që në total i kanë kushtuar 4 mijë euro.

Dy institucionet që i kanë blerë më shtrenjtë maskat kirurgjike nga institucionet e hulumtuara janë Qendra e Shëndetit Mendor në Gjakovë dhe Qendra e Studentëve. Qendra e Shëndetit Mental në Gjakovë ka blerë maskat kirurgjike me çmim prej 0.91 euro kurse Qendra e Studentëve i ka blerë nga 1 euro.

Qendra e Studentëve e cila me vendim të Qeverisë së Kosovës ishte shndërruar në karantinë për të ardhurit nga jashtë Kosovës, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19 ka porositur 30 produkte. Ndër to, maska kirurgjike, doreza latex jo sterile, letër tualeti, alkool për dezinfektim, dezinfektues për duar, etj. Qendra e Studentëve ka blerë 5 mijë maska kirurgjike nga 1 euro që në total i kanë kushtuar 5 mijë euro.