Arkiv - Ilustrim

SBASHK-u: Nga fundi i gushtit priten grevat në arsim

Ymer Ymeri, koordinator për organizim të brendshëm në Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK), ka folur për KALLXO.com lidhur me paraljamërimet e SBASHK-ut për greva në arsim.

Ai ka thënë se arsyet për grevë vazhdojnë të mbesin të njëjtat.

“Janë të njëtat arsye që kanë qenë që një vit, një vit e gjysmë. Nga prilli i vitit 2021 ne i jemi drejtuar me kërkesa qeverisë përmes BSPK-së të shpejtohet ligji i pagave, të futet në zbatim ligji i sigurimeve shëndetësore dhe të bëhet plotësim/ndryshimi i ligjit të skemave pensionale të financuara nga shteti” – ka thënë Ymeri, i cili ka rikujtuar se arsyeja për këto kërkesa ka qenë mos rritja e rrogave në sektorin publik krahas rritjes së çmimeve.

“Meqë qeveria është vonuar shumë me ligjin e pagave na qysh në muajin mars kemi dal me kërkesë që pagat të rriten për të punësuarit në sektorin publik për 100 euro deri sa të filloj zbatimi i ligjit të pagave për shkak të rritjes së çmimeve pasi krahas rritjes së çmimeve pagat nuk janë rritur” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Mirëpo, ai thotë se nuk kanë pasur përgjigje pozitive nga qeveria.

“Qeveria nuk ka dhënë përgjigje pozitive në këto kërkesa ne kemi angazhuar edhe një ndërmjetësues. Sipas ligjeve në Kosovë, ai as ndërmjetësuesit nuk ju ka përgjigjur” – ka thënë Ymeri duke shtuar se grevat pritet të fillojnë nga datat 24 ose 25 gusht.

Ai po ashtu ka shtuar se konsiderojnë që vlerësimet e mësimdhënësve është më mirë të bëhen nga inspektorët.

“Vlerësimet profesionale ne përsëri mendojmë që duhet të bëhen nga inspektorët profesional pasi që drejtori i një fushe mund të mos ketë njohuri në atë fushë ku duhet të bëhet vlerësimi” – është shprehur Ymeri për KALLXO.com.