Klasa ku është mbajtur testi i maturës Foto: MASHT

Nagavci: Më 2024 synojmë që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën e fundvitit ka bërë të ditur se në qershor të vitit 2024 pritet që mësimdhënësit t’i nënshtrohen një provimi.

Sipas ministres Nagavci, qëllimi i këtij provimi është të mundësojë licencën e avansuar për mësimdhënës, të cilët edhe do të paguhen nga Ministria e Arsimit në rast se tregohen të suksesshëm.

Në anën tjetër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kohë që kundërshtohet testimi i mësimdhënësve.

“Prej qershorit të vitit të ardhshëm ne synojmë të nisimin me provimin për mësimdhënës, i cili do të mundësojë licencën e avansuar për mësimdhënës sipas kritereve të përcaktuara dhe tashmë në ligjin e buxhetit por edhe në ligjin e pagave ne e kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të jetë me qëllim të pagesës për mësimdhënësit, të cilët do të anvansohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin” – ka deklaruar ministrja Nagavci.

Sa i përket rezultateve në testin PISA 2022, ministrja Nagavci ka thënë se këto rezultate e kanë rikonfirmuar atë që ka qenë e ditur nga rezultatet paraprake.

“Rezultatet në testin PISA 2022, e rikonfirmuar edhe njëherë atë që ka qenë e ditur edhe nga rezultatet paraprake, por edhe nga diskutimet e shumta e ajo që me të drejt është adresuar për cilësinë në arsim. Duke qenë të vetëdijshëm, për gjendjen në të cilën e kemi gjet arsimin, duke qenë të vetëdijshëm për ndikimet shumëdimensionale në rezultatet e fëmijëve tanë, pra pas parasysh cilësinë e teksteve shkollore, infrastrukturën, punësimin e mësimdhënësve, ndërhyrjet e vazhdueshme në sistemin e arsimit” – ka thënë ministrja Nagavci.

Më tej, ministrja Nagavci ka përmendur disa veprime që i kanë ndërmarrë me qëllim të përmirësimit në rezultatet e testit PISA të radhës.

“Kemi ndërmarrë disa veprime, rishikimi i teksteve, miratimin e ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme, zhvillimin në karrierë të mësimdhënësve, udhëzimet administrative që kanë të bëjnë me licencimin dhe avansimin në karrierë të mësimdhënësve, përmirësimin e infrastrukturës shkollore” – ka shtuar ministrja Nagavci.

Kështu, ajo ka thënë se janë në finalizim të një plani që do të paraqes veprime të menjëhershme në lidhje me këto rezultate, i cili do të prezantohet në tre mujorin e ardhshëm të vitit 2024.

Rezultatet në PISA 2022 Kosova i pranoi më 5 dhjetor.

Sipas rezultateve në PISA 2022, nxënësit kosovarë kanë performuar rreth 83% dobët në lexim, rreth 79% dobët në shkencë, rreth 85% dobët në matematikë.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 355 pikë. Në lexim, Kosova është në vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse, me 342 pikë. Në shkencë, Kosova është në vendin e 77, me 357 pikë. Në matematikë dhe lexim, Kosova ka 11 pikë më pak se në vitin 2018, ndërsa në shkencë i ka 8 pikë më pak.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në konferencën për media ku janë prezantuar këto rezultate ka përmendur pandeminë, ndërrimin e qeverisë, tekstet e infrastrukturën shkollore si faktorë që kanë ndikuar në këto rezultate.

Kurse, për njohësit e fushës së arsimit në Kosovë, faktorë janë të mësuarit mekanik, mos-prioritizimi i arsimit e mungesa e llogaridhënies.