Takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Kriza në Banjskë, Kurti takohet me emisarin gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në disa pamje të publikuara nga Zyra e Kryeministrit, Kurti dëgjohet teksa e njofton emisarin për situatën pas vrasjes së policit dje në Banjskë të Zveçanit, si pasojë e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës.

“Ishte një ditë e vështirë dje. Shumë gjëra do të zgjidhen gjatë hetimit nga Policia, përderisa gjashtë persona tashmë janë të arrestuar” – dëgjohet duke thënë Kurti.

Kryeministri tha se fokus i tij është të sigurojë ligjshmëri dhe siguri për të gjithë sepse sipas tij këto lloj struktura, rrezikojnë gjithkënd.

Më tej Kurti e ka njoftuar emisarin se dje e ka vizituar familjen e policit të vrarë, Afrim Bunjaku, dhe se sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i tij.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit e lajmëroi Sarrazin se sot organizohet mbledhje komemorative,  ku do të marrin pjesë familja e rreshter Bunjakut, personalitetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare si dhe eprorë e zyrtarë policorë.

Prezent në takimin e Kurtit me Sarrazin është parë edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Agrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.
https://kallxo.com/lajm/situate-e-qete-sot-ne-zvecan/