Sa peshon pasuria e të akuzuarve në rastin e 53-milionëshit?

Prokuroria Speciale në fillim të muajit shkurt ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj tre ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës që lidh kryeqytetin me Han të Elezit.

Për këtë rast po akuzohen ish-ministri Pal Lekaj, Nebih Shatri – ish-zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Eset Berisha – shef i kabinetit të Pal Lekajt.

Ata po akuzohen se ishin të përfshirë në korrupsion kur ishte vendosur për ndarjen e milionave për konsorciumin turko-amerikan.

Sipas aktakuzës në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për shtyrjen e afatit të përfundimit të punësimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27.11.2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”. Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Pasuria e Pal Lekajt dhe dy zyrtarëve tjerë

Ish-ministri i Infrastrukturës, aktualisht deputet i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka deklaruar pasuri milionëshe në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në deklarimin e pasurisë së vitit 2020, në AKK, Lekaj ka deklaruar shtëpi në vlerë 280 mijë euro, tokë në vlerë 1.5 milionë euro dhe banesë me vlerë 80 mijë euro.

Lekaj ka deklaruar katër vetura, dy prej të cilat janë në pronë të tij, që të dyjat bashkë kanë vlerën mbi 29 mijë euro.

Dy vetura tjera janë në pronësi të bashkëshortes dhe fëmijëve, të dyja së bashku kushtojnë afër 25 mijë euro.

Në anën tjetër, në deklarimin e vitit 2021 pasuria e paluajtshme është e njëjtë, po ashtu edhe katër vetura.

Dallimi qëndron se veturën e tij të llojit mercedes, e ka larguar dhe në vend të saj vitin 2021 e ka deklaruar një veturë tjetër në emër të fëmijëve.

Kjo veturë e blerë në vitin 2020 kushton 26 mijë euro, dhe është e llojit Land Rover Sport.

Përderisa në bankë ka deklaruar se mbanë 3 mijë euro vetëm ai. Kurse fëmijët dhe bashkëshortja së bashku kanë 8,895 euro.

Lekaj ka deklaruar në AKK së është në kredi 75 mijë euro me kohëzgjatje 10 vite. Pagën vjetore si deputet e ka deklaruar 20,355.71 euro.

Pasuri të madhe ka deklaruar edhe ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, i akuzuari Eset Berisha.

Në dy deklarimet e tij të fundit – 2019 dhe 2020, Berisha i ka deklaruar si drejtor i Agjencisë së Aviacionit Civil.

Sepse Eset Berisha ishte emëruar në vitin 2019 nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil. Por që në maj të 2020-es u shkarkuar nga qeveria në detyrë e Albin Kurtit.

Berisha si drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil ka deklaruar në AKK se ka në posedim tetë pasuri të paluajtshme.

Në vitin 2019, Berisha në AKK ka deklaruar dy shtëpi, një tokë ndërtimore dhe një arë bujqësore të cilat kapin vlerën 430 mijë euro.

Një veturë e ka deklaruar të blerë me kredi në vitin 2017 që ka vlerën 21 mijë euro. Berisha ka deklaruar se është aksionar 100 për qind në EB&Assocates shpk.

Në anën tjetër, në vitin 2020 të dhënat nga regjistri i deklarimit të pasurisë tregojnë se ka shtuar pasurinë e paluajtshme në vitin 2019 dhe 2018.

Ai ka në posedim edhe një tokë bujqësore, të cilën e ka deklaruar si trashëgimi e vitit 2018 dhe që kap vlerën 10 mijë euro.

Po ashtu, në vitin 2020, Berisha në AKK ka deklaruar dy banesa dhe një tokë bujqësore. Gjithsej vlera e përgjithshme e gjithë kësaj pasurie të paluajtshme është mbi 584 mijë euro.

Për të gjitha këto deklarime ai ka deklaruar se prejardhjen e kanë nga kontratat, kursimet dhe kredi bankare.

Në vitin 2020 ai ka deklaruar edhe një veturë e llojit Suzuki Vitara e cila është blerë me kredi në vitin 2017. Vlerën e saj e ka deklaruar 21 mijë euro në pronësi të tij.

Në anën tjetër, pasuri të paluajtshme me vlerë 144 mijë euro e ka deklaruar i akuzuari tjetër, Nebih Shatri.

Sipas deklarimit të tij në AKK në vitin 2020, ai ka në posedim një banesë në emër të bashkëshortes së tij, si trashëgimi e vitit 2005. Vleren e baneses e ka deklaruar 60 mijë euro.

Gjithashtu edhe një banesë tjetër të blerë në vitin 2014, me vlerë 84 mijë euro.

Ai ka deklaruar se nuk ka veturë në emër të tij. Sipas deklarimit të tij, një veturë e blerë në vitin 2019 me vlerë 8,500 euro është në emër të gruas së tij.

Në bankë i ka deklaruar 2,160.19 euro. Të hyrat vjetore i ka deklaruar nga paga në Ministri që janë 6,060 euro dhe kompensimi për angazhim në komisione që janë 6,495.95 euro.

Ndërkohë, edhe në deklarimin e të tij në vitin 2021, ka deklaruar vlerën e njëjtë të pasurisë së paluajtshme. Po ashtu edhe këtë vit e ka deklaruar veturën e njëjtë. Ndryshimi qëndron se në bankë nuk ka deklaruar asnjë cent.

Të tre të akuzuarit në Prokurori kanë mohuar se kanë kryerë vepër penale të cilat i ngarkohen në këtë aktakuzë.

Një aktakuzë e publikuar në fillim të këtij muaji ngre dyshime se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari i tij i lartë politik, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, ish-sekretar në këtë ministri, u përfshinë në një aferë korruptive.

Një hetim dy vjeçar i Prokurorisë Speciale ka ardhur në përfundim se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i lartë i tij, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës kanë tejkaluar kompetencat e tyre “me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës”.

Historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për shtyrjen e afatit të përfundimit të punësimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27.11.2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Pal Lekaj, si ministër i Infrastrukturës që në atë kohë drejtonte edhe Komitetin Ndërministror, po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me Statutin dhe Kodin e Sjelljes, pa i informuar dhe pa marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti, ka angazhuar këshilltarin e tij të lartë, Eset Berisha që të merr pjesë në negociata me Bechtel-Enka “për të përcaktuar koston financiare”. Këto ishin detyra jashtë fushëveprimtarisë dhe kompetencave të një këshilltari politik, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Eset Berisha, sipas aktakuzës, nën udhëzimet dhe në bashkëpunim të plotë me Pal Lekajn ka zhvilluar biseda me Bechtel-Enka-n dhe janë pajtuar që të zgjatet afati i përfundimit të punësimeve deri më datë 31.12.2018 dhe që Ministria e Infrastrukturës të paguaj koston financiare shtesë në llogari të kësaj kompanie në vlerë prej 45 milionë euro, shumë e cila sipas aktakuzës me shpenzimet e TVSH-së prej 18 për qind arrin shumë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka përpiluar një aktakuzë prej 44 faqesh ku janë intervistuar disa dëshmitarë.

Ndarja e 53 milion eurove për “Bechtel&Enka”

Ndarja e 53 milionëve për “Bechtel&Enka” në atë kohë kishte shkaktuar debate të ndryshme në shoqëri e opinion.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar ekskluzivisht për arsyet se pse kishte ardhur gjoba prej 53 milionëve dhe transaksionet që do të paguheshin.

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018.

Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%). Por, shteti do të paguante për punën e njëjtë edhe 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e qeverisë.

Zvarritja e pagesave ka bërë që të zvarriten për 1 vjet edhe punët që do të kryheshin në këtë Autostradë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar një dokument që Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë më 20 prill të vitit 2018. Dokumentin, Lekaj e kishte quajtur “Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit”.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumenti ishte kërkuar fillimisht nga ish-ministri Lutfi Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ish-ministri Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

Aneks kontrata e nënshkruar nga Qeveria Haradinaj e  kishte zgjatur afatin për përfundimin e punimeve të kësaj autostrade deri më 31 dhjetor të 2018.

“Pas vonesave të Qeverisë për pagesat e punëve të kryera nga punë kryesi, Qeveria dhe kontraktori janë detyruar të zgjasin afatin për përfundimin e punimeve, ashtu që Qeveria Haradinaj me dt. 27 shtator 2017 ka nënshkruar aneks kontratën për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018”, thuhej në memorandumin që ministri Lekaj i ka dërguar sekretarisë së Zyrës së Kryeministrit më 20 prill të këtij viti.

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit ishte nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.

Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).

Përmes këtij memorandumi, Ministri Lekaj kishte njoftuar Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milionë euro.

Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek  ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në faturën që do të paguante qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.

‘Bechtel & Enka’ i kishte kërkuar edhe 10 milionë euro për shpenzimet që kanë pasur gjatë ndërprerjeve dhe zgjatjes së afatit, pasi ata pretendojnë që kanë pasur humbje të produktivitetit për vitet 2014, 2015 dhe 2016.