Rruga deri tek aktakuza - Çka ndodhi dhe pse u paguan 53 milionë euro?

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish- këshilltari i tij Eset Berisha dhe ish- zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës Nebih Shatri janë pjesë e aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale për ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Njoftimi për aktakuzë është bërë gjatë ditës së sotme nga Prokuroria Speciale në Kosovë.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën për Lekajn, Berishën e Shatrin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktoj me ish-ministrin Lekaj dhe ish-këshilltarin e tij Eset Berishën por kanë qenë të pa qasshëm përmes telefonit.

Më 5 qershor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit apo siç njihet edhe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në atë kohë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte thënë se ndarja kishte ardhur si shkak i “dështimit të qeverisë së kaluar që të paguaj me rregull faturat dhe konsorciumi ka kërkuar që fillimisht t’i paguaj 63 milion euro për shkak të mbajtjes së pajisjeve gjatë dhe shpenzimeve indirekte”.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të qeverisë.

Vetëm dy ditë më vonë, nga ndarja e milionave për “Bechtel&Enka”, KALLXO.com raportoi se Prokuroria Shtetit kishte filluar të mblidhte informacione në lidhje me këtë çështje.

Që nga ajo kohë e deri më tani janë bërë më shumë se 3 vjet dhe sot Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë pikërisht për këtë çështje.

Ndarja e 53 milion eurove për “Bechtel&Enka”

Ndarja e 53 milionëve për “Bechtel&Enka” në atë kohë kishte shkaktuar debate të ndryshme në shoqëri e opinion.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar ekskluzivisht për arsyet se pse kishte ardhur gjoba prej 53 milionëve dhe transaksionet që do të paguheshin.

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018.

Kontrata fillestare, në bazë të planit dinamik fillestar, do t’i kushtonte shtetit 608 milionë euro (pas rritjes së TVSH-së nga 16 në 18%). Por, shteti do të paguante për punën e njëjtë edhe 53 milionë euro shtesë për shkak të zvarritjes së pagesave nga ana e qeverisë.

Zvarritja e pagesave ka bërë që të zvarriten për 1 vjet edhe punët që do të kryheshin në këtë Autostradë.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar një dokument që Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ia ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë më 20 prill të vitit 2018. Dokumentin, Lekaj e kishte quajtur “Memorandum shpjegues për kërkesën e kontraktorit ‘Bechtel & Enka’ për kompensim të shpenzimeve indirekte për shkak të zgjatjes së afatit të kontratës për ndërtimin e autostradës R6 Prishtinë – Hani i Elezit”.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se në fakt aneks-kontrata është nënshkruar vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Haradinaj. Aneks kontrata që sipas këtij dokumenti ishte kërkuar fillimisht nga ish-ministri Lutfi Zharku në shtator të 2016, është nënshkruar nga ish-ministri Pal Lekaj më 27 shtator 2017, vetëm 18 ditë pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Haradinaj.

Aneks kontrata e nënshkruar nga Qeveria Haradinaj e  kishte zgjatur afatin për përfundimin e punimeve të kësaj autostrade deri më 31 dhjetor të 2018.

“Pas vonesave të Qeverisë për pagesat e punëve të kryera nga punë kryesi, Qeveria dhe kontraktori janë detyruar të zgjasin afatin për përfundimin e punimeve, ashtu që Qeveria Haradinaj me dt. 27 shtator 2017 ka nënshkruar aneks kontratën për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018”, thuhej në memorandumin që ministri Lekaj i ka dërguar sekretarisë së Zyrës së Kryeministrit më 20 prill të këtij viti.

Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit ishte nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.

Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).

Përmes këtij memorandumi, Ministri Lekaj kishte njoftuar Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milionë euro.

Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.

Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek  ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në faturën që do të paguante qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.

‘Bechtel & Enka’ i kishte kërkuar edhe 10 milionë euro për shpenzimet që kanë pasur gjatë ndërprerjeve dhe zgjatjes së afatit, pasi ata pretendojnë që kanë pasur humbje të produktivitetit për vitet 2014, 2015 dhe 2016.

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

Kjo kontratë ishte nënshkruar në kohën e qeverisë Thaçi II, përkatësisht me datën 1 korrik 2014 në kohën kur qeveria ishte në detyrë. Gjatë realizimit të kësaj kontrate, kryeministër ka qenë Isa Mustafa (2015- 2017). Në kohën e Thaçit, ministër i Infrastrukturës ishte Fehmi Mujota, ndërsa në kohën e Isa Mustafës, ministër ishte tani deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku.

Të gjitha këto kërkesa të kompanisë, në total kap koston e 63 milion eurove, mirëpo sipas Lekajt kjo shumë ishte zbritur pas negociatave. E negociatat nuk duket se kanë zgjatur më shumë se 18 ditë, pasi marrëveshja ishte nënshkruar 18 ditë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Hardinaj.

Pal Lekaj në letrën e tij tregonte se gjatë negociatave kishin arritur ta zbresin shumën në 45 milionë euro, pa TVSH. Në total kjo shifër shkoi në 53 milionë euro duke e llogaritur TVSH-në prej 18%.

“Në kompensim të kësaj shume është arritur pajtimi i kontraktorit për heqje dorë nga kërkesa për shpërblimin e dëmit për vonesat në pagesa për vitet 2014-2018 si dhe pagesa e shumës së kërkuar në këste mujore për 12 muaj”, thuhej në letrën e Lekajt dërguar Zyrës së Kryeministrit.

Penalltitë për shkak të këtyre vonesave ishin paraparë edhe në kontratën, ku kishte pasur klauzolë shtesë për çdo vonesë të mundshme.

Në këtë shkresë të ministrit Lekaj thuhej se për t’u konstatuar vonesa e kreditorit duhej të plotësohen dy kushte: e para që debitori (Bechtel&Enka) të ketë ofruar ekzekutimin e detyrimeve ndërsa kreditori (Qeveria) të jetë vonuar për shkak të saksimit të kohës.

“Kushti i dytë, kur kreditori (Qeveria) pengon me sjelljen e tij përmbushjen e detyrimeve të debitorit (Bechtel&Enkas). Kjo e dyta do të mund t’i atribuohej vonesës së pagesave të dakorduara për kryerjen e punimeve nga Qeveria”, thuhej në letrën e memorandumit.

Lekaj në shkresën e tij drejtuar qeverisë thoshte se bazuar në kontratë në rast se çështja shkon në Arbitrazh të Vjenës, shqyrtimi do të bëhet bazuar në ligjet e Anglisë dhe Uellsit të Britanisë së Madhe dhe jo ligjeve të aplikueshme në vendin tonë. Në shkresën e tij, Lekaj tregonte se epilogu i Arbitrazhit nuk është i sigurt, mirëpo nuk thoshte se Kosova do të humbë këtë rast.

Në dokumentet që e kishte siguruar Gazeta Jeta në Kosovë dhe ka raportuar në vitin 2018, shihej se gjatë vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte paguar 55 milionë e 468 mijë e 528 euro e 85 cent (55,468,528.85 Euro), ndërsa është dashur të paguante 70 milionë euro. Pra kishte paguar 14 milionë e 531 mijë 471 euro (14,531,471 Euro) më pak apo kthyer në përqindje, rreth 21 % më pak. Por, në dokument nuk tregohej nëse edhe punët në teren kanë ngecur për këtë përqindje.

Gjatë vitit 2015, Qeveria e Kosovës kishte paguar 112 milionë e 124 mijë e 859 euro e 86 cent (112,124,859.86 Euro), ndërsa është dashur të paguaj mbi 107 milionë euro më shumë.

Sipas dokumentit që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, në 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro.

Në vitin 2016 ishin planifikuar të paguhen 205 milionë euro, mirëpo shteti kishte paguar vetëm 155 milionë e 978 mijë e 20 euro e 49 cent (155,978,020.49 Euro)

Kush e Gjuajti Gurin 53 Milionësh në Autostradë?