Sa gjatë mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënojat e tërmetit?

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë përpjekjet e tyre për gjetjen e të mbijetuarve pas tërmeteve që shkatërruan pjesë të Turqisë dhe Sirisë më 7 shkurt.

Disa njerëz ende po nxirren të gjallë nga rrënojat edhe pas një jave nga tërmeti, i cili deri më tani ka vrarë më shumë se 35,000 njerëz.

Me ekipet e kërkimit nga më shumë se dy duzina vendesh që vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar, janë ngritur pyetje rreth asaj se sa gjatë mund të mbijetojnë njerëzit nën rrënoja.

Ekspertët thonë se deri në një javë ose më shumë, megjithëse kjo varet nga lëndimet e tyre, mënyra se si janë bllokuar dhe kushtet e motit.

Mosha, gjendja fizike dhe mendore janë të gjitha faktor se sa gjatë mund të mbijetojnë.

“Mund të shihni shumë skenarë të ndryshëm ku ne kemi pasur disa shpëtime vërtet të mrekullueshme dhe njerëzit kanë mbijetuar në kushte të tmerrshme”, thotë Dr Christopher Colwell, specialist i mjekësisë urgjente në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.

“Ata priren të jenë njerëz më të rinj dhe kanë pasur fatin të gjejnë ose një hapësirë në rrënoja ose ndonjë mënyrë për të pasur qasje në elementët e nevojshëm, të tillë si ajri dhe uji”, shtoi ai.

Njerëzit me lëndime traumatike, duke përfshirë lëndimet e shtypjes dhe amputimet e gjymtyrëve, përballen me vështirësitë më kritike të mbijetesës, tha Dr George Chiampas, specialist i mjekësisë urgjente në shkollën mjekësore Feinberg të Universitetit Northëestern.

Gjendja mendore gjithashtu mund të ndikojë në mbijetesën e styre që kanë mbetur të ngujuar nën rrënoja. Chiampas vëren se njerëzit e bllokuar pranë trupave, të cilët nuk kanë kontakt me të mbijetuarit e tjerë ose shpëtuesit, mund të heqin dorë nga shpresa për të dalë të gjallë nga aty.

“Shpresa që dikush do të arrijë tek ju, mendoj se mund t’ju japë edhe një, dy ose tre ditë kohë”, tha ai.

Mrrekullia e shpëtimit të jetëve

Mes temperaturave të ulëta, dhjetëra mijëra personel vendas dhe të huaj të emergjencës vazhdojnë të kërkojnë viktimat nga tërmetet.

Kushtet e dimrit në Siri dhe Turqi janë pengesë për përpjekjet e shpëtimit.

“Nëse krejt papritur fillon të bie shi, ai shi përveç motit të ftohtë mund ta përshpejtojë hipoterminë dhe gjithashtu mund të çojë në një vdekje të përshpejtuar”, tha Chiampas.

Shumica e shpëtimeve ndodhin në 24 orët e para pas një fatkeqësie. Pas kësaj, shanset e mbijetesës bien me kalimin e çdo dite.

Ekspertët thonë se duke pasur parasysh temperaturat që kanë rënë në -6 gradë Celsius dhe shembjen totale të kaq shumë ndërtesave, mundësia për shpëtim tani është pothuajse e mbyllur.

Në të ftohtë, trupi ka nevojë për t’u ngrohur – dhe kjo ndikon në djegien e më shumë kalorive, që do të thotë se njerëzit e privuar nga ushqimi do të vdesin më shpejt, thotë Dr Stephanie Lareau, profesore e mjekësisë urgjente në Virginia Tech.

Megjithatë, Chiampas thotë se ai “asnjëherë nuk do ta dekurajojë askënd që të ketë shpresë”.

Të hënën, një grua u nxor e gjallë nga rrënojat në Antakya, tregoi një video e shpërndarë në internet nga kryebashkiaku i Stambollit. Punëtorët duartrokitën ndërsa ajo u fut në një ambulancë.

Transmetuesi Haberturk raportoi se një tjetër grua dhe dy fëmijë u shpëtuan në Antakya dhe CNN Turk raportoi një grua të nxjerrë nga rrënojat në provincën jugore Gaziantep.

Ndërkohë, në Siri, autoritetet thanë se një i porsalindur, nëna e të cilit lindi ndërkohë që ishte e bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së tyre, ishte mirë.

Foshnja, Aya, u gjet disa orë pas tërmetit, ende e lidhur me kordonin e kërthizës me nënën e saj, e cila kishte vdekur. Tashmë ajo po ushqehet me gji nga bashkëshortja e drejtorit të spitalit ku edhe po merr trajtim mjekësor./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala