Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa është duke prodhuar rrymë momentalisht Kosova?

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, ka thënë se momentalisht KEK-u është duke prodhuar rreth 780 MW energji elektrike.

Në intervistën për “Kallxo Përnime” Krasniqi tha se momentalisht në funksion janë dy njësi të termocentralit “Kosova A” dhe dy të “Kosova B”.

“Në momentin që po flasim KEK u prodhon diku rreth 780 MW energji elektrike, dy njësi të “Kosovës A” dhe dy të “Kosovës B”. Njësia A3 është jashtë përdorimit, sepse është në procesin e riparimit të rregullt, pritet që deri në fund të muajit të kthehet në prodhim. Serviset e pajisjeve planifikohen në fillim të vitit, që mos të ketë ndërprerje për një kohë”, tha Krasniqi.

Ai tha se Kosova ndoshta ka mundur që të blejë energji elektrike në muajt e verës për ta shpenzuar në dhjetor, por sipas tij, njerëzit do të kundërshtonin.

“Kanë mundur të bëhen kontrata në verë, që ta marrim shembull të kushtojë 200 euro MW. Sepse në fund, energjinë e blen në treg global, nëse do ta blenim një MW verës për në dhjetor, do të merrnit çmimin që diku ka qenë 200 euro, nëse në verë do të blente atëherë në atë kohë që do të ishte 90 – 100 euro, do të thonin çka ke bërë kështu”, deklaroi Krasniqi.

Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ po transmetohet intervista me kryeshefin ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqin.