RTK-së i ndahen 2.8 milionë euro për tre muajt e ardhshëm

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës për ndarje e buxhetit prej 2.8 milionë euro për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor.

Drejtori Gjeneral i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati tha se 2.5 milionë euro nga buxheti total do të shkojnë për paga dhe mëditje.

Kastrati shtoi se në muajin e kaluar RTK-ja ka kursyer rreth 300 mijë euro.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se RTK duhet të kryej njëherë e mirë borxhet që ka.

“Është bërë histori borxhet e RTK-së, mendoj qe ka sa edi koha e fundit që t’i shlyejmë borxhe dhe t’i hapim sytë. Nuk duhet veç të kërkoni para dhe të mos keni sukses njëherë e mirë që të projektohen këto borxhe në projeksione dhe të shlyhen”, tha Pal Lekaj.

Me gjashtë vota pro dhe asnjë kundër Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere miratoi buxhetin tre mujor për RTK-në.

Ndërkaq, pika e rendit të ditës “Shqyrtimi i Raportit Financiar i Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2021”, u shtye për javën e ardhshme pasi që RTK ka kërkuar kohë shtesë për përgatitjen e raportit.