Rrustem Mustafa: Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar më është kontrolluar telefoni
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ka njoftuar se sonte i është kontrolluar telefoni nga Prokuroria Speciale.
“Sonte rreth orës 20:00 para shtëpisë time më janë prezentuar hetuesit e Gjykatës Speciale të Kosovës me një urdhër nga prokuroria e Gjykatës Speciale për kontroll të telefonit. Gojarisht më shpjeguan se duhet të bëjmë një bisedë zyrtare në zyre të Eulexit” – ka shkruar Mustafa në Facebook.
Remi ka shtuar se telefoni i është sekuestruar në zyre të Eulex-it dhe pas kontrollimit, nuk ka pasur interesim shtesë, kështu ka përfunduar biseda e tyre dhe ai është kthyer në shtëpi të tij.
Ai po ashtu ka thënë se personeli i i Gjykatës Speciale është sjellë me respekt.
Rrustem Mustafa ka dëshmuar në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.