Rruga Mitrovicë - Prishtinë ende i pakalueshëm njëri shirit

Një pjesë e rrugës Mitrovicë – Prishtinë që ishte shembur para një jave, ende nuk është rregulluar.

Sipas fotove të dërguara nga një qytetar në drejtim të KALLXO.com shihet se njëri shirit i rrugës është ende e pakalueshëm për vetura.

Kjo autoudhë ishte shembur më 5 janar të këtij viti dhe Ministria e Infrastrukturës kishte bërë të ditur se është mbyllur në ora 04:00 të mëngjesit atë ditë.

“Pas paraqitjes së plasaritjeve gjegjësisht deformimeve në rrugën nacionale N2 segmenti rrugor në dalje te Auto-udhës A7 në drejtim të Prishtinës nga Mitrovica sipas kërkesës dhe rekomandimeve me datë: 05.01.2021 në ora 04:00 të mëngjesit është bërë mbyllja e daljes se Auto-udhës A7 në drejtim të Prishtinës si dhe njëri shirit i qarkullimit drejtimi Mitrovicë-Prishtinë”, kishte bërë të ditur Ministria.

Tutje ishte bërë e ditur se automjetet të cilat vijnë nga Auto-udha A7 për të vazhduar në drejtim të Prishtinës duhet të vazhdojnë në drejtim të fshatit Mazgit, më saktë në segmentin rrugor Prishtinë – Mitrovicë dhe të shfrytëzohet rreth rrotullimi në fshatin Mazgit (rreth rrotullimi që gjendet në afërsi të tyrbes së Sulltan Muratit) dhe më pas të vazhdojnë në drejtim të Prishtinës.