Rritet gjendja e gatishmërisë në SHSKUK pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme në Mitrovicë dhe në Vushtrri.

Ky njoftim nga SHSKUK vjen pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Banjskë të Zveçanit.

“SHSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë” – njofton SHSKUK.

Lajmin për këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës e dha sot kryeministri, Albin Kurti, i cili tha se ky sulm ka ardhur nga krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar.

Policia përmes një komunikate ka treguar për rrjedhën e ngjarjes dhe ka thënë se një polic është vrarë, një është plagosur e një tjetër është lënduar.

Policia ka bërë të ditur se rreth orës 02:34 në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, gjatë patrullimit ka vërejtur se janë vendosur dy kamion pa targa, duke bllokuar hyrjen e fshatit përmes urës.

Më pas, tre njësi të Policisë janë nisur në drejtim të urës dhe sapo kanë arritur, siç thotë Policia, ajo është sulmuar nga disa pozicione të ndryshme me arsenal armësh, përfshirë këtu granata dore dhe zollë.

Si pasojë e sulmit, janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

“Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri” – thuhet në njoftimin e policisë.

Leposaviq, vritet një polic i Kosovës, plagoset një tjetër