Ilustrim
Rriten rastet me meningjit, kërkohet kujdes i shtuar me ujin e pijes dhe në pishina
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas njoftimit, shkaktar i kësaj sindrome janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Andaj, MSH ka kërkuar rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.
Sipas Ministrisë, meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.
Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi.
“Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit”- thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë thirrje që sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.
Sipas njoftimit, meningjiti trajtohet vetëm në spital.