Foto: KALLXO.com

Nga Klinika Infektive tregojnë për gjendjen e pacientëve që dyshohet se u helmuan në Malishevë

Numri i personave që dyshohet se u helmuan nga ushqimet që konsumuan në një lokal të ushqimeve të shpejta në Malishevë ka shkuar në 205.

18 prej tyre po trajtohen aktualisht në Klinikën Infektive në QKUK.

Këtë e ka bërë të ditur mjekja kujdestare e Klinikës, Arjeta Zogaj Berisha, specialiste e infektologjisë.

Në një prononcim për KALLXO.com, ajo ka thënë se asnjë prej pacientëve nuk është në gjendje të rëndë.

“Në Klinikë janë 18 pacientë, janë me dhimbje barku me barkqitje disa edhe me temperaturë, kryesisht janë stabil, me gjendje kritike nuk ka” – ka thënë Zogaj Berisha për KALLXO.com.

Gjykata e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj pronarit të lokalit të ushqimeve të shpejta në Malishevë.

“Të pandehurit K.SH., i është caktuar paraburgimi prej 1 muaji për veprën penale vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” – ka thënë zëdhënësi i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan dhjetëra qytetarë në Malishevë.

Shumica e personave të helmuar po trajtohen në QKUK dhe në Spitalin e Prizrenit.