Fahredin dhe Vjollca Përboqi, prindërit e Shaban Përboqit i zhdukur që nga viti 2012, Foto: KALLXO.com

Rrëfimi i prindërve për djalin me të cilin humbën kontaktet 11 vite më parë - VIDEO

Në Rahovec në rrugën “Asllan Kleçka” jeton familja pesë anëtarëshe Përboqi e cila tash e 11 vite është vënë në kërkim të djalit të tyre me të cilin humbën kontaktet që nga viti 2012.

Shaban Përboqi djali i madh i familjes kishte dalë nga shtëpia në vitin 2012, ndërsa deri më tani familja nuk e di nëse i njëjti është gjallë deri sa lutja e tyre ishte që të paktën të kenë një informacion për të birin.

Fahredin Përboqi babai e Vjollca Përboqi nëna e Shabanit, në një intervistë për KALLXO.com kanë rrëfyer ditën kritike kur djali doli nga shtëpia dhe nga atëherë nuk kanë asnjë kontakt me të.

Babai Fahredini, ka raportuar zhdukjen e djalit tri herë, dy raste në Kosovë e një tjetër te autoritetet e Shqipërisë.

Fahredin dhe Vjollca Përboqi, prindërit e Shaban Përboqit i zhdukur që nga viti 2012, Foto: KALLXO.com

“Prej vitin 2012 gati 11 vjet janë bërë, nuk e kemi haberin a është gjallë apo vdekur”- rrëfen babai Fahredini gjatë një bisede me ekipin e KALLXO.com.

“Ka ikë prej shtëpisë, ka dalë me shoqëri, pastaj ka shku në Shqipëri, njëherë ka pasur kontakt me vëllain e tij dhe prej atëherë nuk dimë asgjë”- vazhdon të tregoj babai i Shabanit tani më i  konsideruar si person i zhdukur edhe nga Policia e Kosovës.

Dy ditë më parë, Fahredin Përboqi raportoi për të tretën herë djalin e tij si të zhdukur te autoritetet e sigurisë. Policia e Kosovës, konkretisht ajo në Rahohec ka iniciuar rastin si person i zhdukur për Shaban Përboqin, tashmë 31-vjeçar.

Babai, Fahredini tregon se djali tij kishte marrë rrugë për në Shqipëri në atë kohë, për të mos u kthyer më ndërsa ajo çfarë kërkon sot, është të dijë nëse djali është gjallë.

“Me letërnjoftim, dokumente të identifikimit ka hy. Në Shqipëri më kanë thanë që nuk mund të tregojmë se kush e ka pru e unë ju kam thënë se nuk po më intereson veç kam dashtë me ditë a është djali gjallë apo jo. Ata pas një kohe më kanë kthy përgjigje që nuk u kthy në Kosovë, nuk e dimë ku është, nëpër burgje nuk ka qenë, prej atëherë nuk dimë kurrgjë dhe prej atëherë nuk dinë kurrgjë”- tregon Fahredin Përboqi duke shtuar se në të kaluarën djali i tij kishte qejf të dilte për të punuar në vendet perëndimore.

Fahredin dhe Vjollca Përboqi, prindërit e Shaban Përboqit i zhdukur që nga viti 2012, Foto: KALLXO.com

Nëna e Shabanit, Vjollca Përboqi mes lotësh kërkon që djali i saj të kthehet, ose të paktën të njoftojë familjen se jeton diku është gjallë.

“Dikush në telefon e ka thirrë atë ditë, nuk po e dijmë kush, ne kemi qenë poshtë tu qëndru ai nalt, dhe më ka thanë cika që ka dalë Shabani nuk është në shtëpi. Ditën ka dalë orën nuk e di saktë, ai atë kohë kërkojke me dalë, sepse unë i kam motrat, vllaun jashtë Kosovës, atë kohë s’ka mujt me dalë se është dashtë vizë ai ka qenë në shkollë”- tregon ajo.

Fahredin Përboqi tregon se kushtet e shkollimit i ka plotësuar të birit për të vijuar mësimet.

Rastin e parë për zhdukjen e djalit, Fahredin Përboqi e kishte raportuar disa vite pasi djali kishte shkuar në Shqipëri.

Ai thotë për KALLXO.com se fillimisht kishte pritur nga ana e tij të kthehet por pasi ishin shkëputur të gjitha komunikimet me të kishte nisur procedurat e kërkimit të tij.

“Gjeta njerëz që udhëtojnë Kosovë- Shqipëri dhe me lidhje qashtu më kanë ndihmu në polici me lajmëru”- thotë ai.

Ai përmend se njëherë Shaban Përboqi kishte pasur kontakt me njërin nga dy vëllezërit e tij dhe i kishte thënë se nuk dëshiron të kthehej në shtëpi. Kjo ngjarje ishte në vitin 2012.

“Ka thanë që nuk po don me u kthy, aq, i pata thënë unë me u kthy ai ka thanë nuk dua. E ka postuar një banesë në Itali a është e vërtetë nuk e di veç me ju rrejtë.  Jo nuk ka dhënë arsye, nuk du me u kthy edhe aq”- thotë ai.

Babai i Shabanit, nuk ka dyshime të ngritura pasi thotë se nuk di gjë për djalin paraprakisht.

“Pa ndëgju ndonjë fjalë asgjë s’mundem me dyshu, veç ju kisha lut kushdo që ka ndonjë informatë, me lajmëru rastin, vetëm me ditë që është gjallë”- shprehet ai.

Shaban Përboqi thotë se e kanë vështirë ditën kur djali ka ditëlindjen pasi nuk dinë asgjë për të.

“Nana e vet në ditën e ditëlindjes së tij i shkon veç tu kajtë. Kur vjen ajo datë problem i madh”- thotë babai.

Në raportin ditor të policisë të ditës së djeshme thuhet se ankuesi kishte raportuar për ngjarjen e djalit të tij i cili ka dalë nga shtëpia në vitin 2012 dhe ka shkuar në Shqipëri e që nga ajo kohë nuk di asgjë për vendndodhjen e tij.

“Sipas ankuesit i njëjti ka raportuar rastin edhe në Shqipëri. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori me udhëzim të së cilit iniciohet rasti si më lart i cili mbetet nën procedurë hetimore”- thuhet në raportin e policisë.

Në bazë të rrjeteve sociale, me atë të cilin familja ka pasur kontakt për herë të fundit ka qenë aktiv në tetor të vitit 2012.

Nga ajo kohë në këtë faqe të Shaban Përboqit nuk ka pasur postime apo fotografi të publikuara.

Shaban Përboqi, person i zhdukur i shpallur nga familja e tij, Foto: Facebook/2012