Rrahja në bufenë e RTK-së, drejtori Ahmetxhekaj jep detaje

Një punëtor i Radiotelevizionit të Kosovës po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një kamerier në bufenë e objektit të RTK-së më 13.03.2024 rreth orës 19:30.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, e ka konfirmuar rastin në një deklarim për KALLXO.com.

Ai ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Sipas Ahmetxhekajt, i dyshuari për sulmin mban pozitën inxhinier në mirëmbajtje në RTK.

Drejtori tha se dyshohet se sulmi ka ndodhur për arsye banale.

“Punëtori është inxhinier në mirëmbajtje. Ka qenë në ndërrim. Policia kanë qenë, e kanë hapë rastin. Kemi pamje, ka kamera që e dëshmojnë. Ka pasë edhe dëshmitarë të tjerë të gjithë asaj që ka ndodhur. Në bazë të asaj që më është raportu deri tash nuk ka të bëjë me ndonjë problem në të kaluarën. Është kryesisht çështje banale. Vonesë. Jemi në pritje të raportit final nga përgjegjësit”- ka thënë ai.

Ahmetxhekaj ka thënë se ndaj të dyshuarit janë marrë masa të menjëhershme, duke iu ndaluar hyrja në objektin e RTK-së.

Ndërsa ka paralajmëruar se nesër do merren vendime të tjera bazuar në rregulloren e këtij institucioni.

“Informacionin e kam marrë nga drejtori i televizionit për një rrahje që ka ndodhur në objektin e televizionit, në hapësirën e bufesë së RTK-së. Një punëtor i RTK-së e ka sulmuar fizikisht një kamerier. Nga raporti që e kemi pranu i njëjti është largu nga vendi i ngjarjes. Kamerieri e ka raportu menjëherë rastin në Polici. Masat e menjëhershme që kemi ndërmarrë është që punëtorit i është ndalu hyrja në objektin e RTK-së. Nesër në mëngjes do të marrim vendimin tjetër në bazë të rregullores që e kemi për përgjegjësi materiale dhe disiplinore”- ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se vendimi do të jetë i ashpër, sepse, sipas tij, veprimet e tilla dëmtojnë imazhin e RTK-së.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për KALLXO.com se lidhur me rastin është intervistuar një person.

“Lidhur me këtë rast në cilësinë e personit të dyshuar nga ana e Policisë po intervistohet një person, ndërkohë që personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”- ka njoftuar ajo.

Ahmeti ka njoftuar se pas përfundimit të intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit personi i dyshuar dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Incident në RTK, punëtori i televizionit dyshohet se e sulmoi fizikisht kamerierin e bufesë