Roli i Departamentit Special të gjykatës në Kosovë

 

Sonte emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi një reportazh në lidhje me Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës i cili do të funksionojë për gjykimin e krimeve më të rënda në të gjithë Kosovën.

Gjatë këtij emisioni lidhur me detyrat e këtij departamenti, lehtësirat që ofron si dhe vështirësitë deri në momentin e fillimit të funksionalizimit kanë folur kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, nënkryetari i Gjykatës së Prishtinës Arben Hoti dhe udhëheqësi i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit, Vaton Durguti.

Çoçaj për emisionin Drejtësia në Kosovë ka thënë se qëllimi kryesor për të cilin është themeluar Departamenti Special është trajtimi i rasteve me kohë.

“Një ndër qëllimet kryesore të këtij departamenti është që lëndët të trajtohen brenda afatit të arsyeshëm kohor, brenda afateve të cilat parashihen me ligj”, ka thanë Çoçaj.

Nënkryetari i Gjykatës së Prishtinës, njëkohësisht gjyqtari i departamentit Special, Arben Hoti,  ka deklaruar se ndonëse ka filluar punën me kohë ky departament, numri i gjyqtarëve të cilët gjykojnë aty është i vogël.

“Kemi fillu me 6 gjyqtarë, janë dy trupa gjykues sepse sipas ligjit ne gjykojmë në trup gjykues. Numri nuk është i mjaftueshëm sepse gama, kompetenca territoriale është zgjeruar, është gjithë territori i Republikës së Kosovës, ne kemi marrë premtime nga KGjK, se shumë shpejt do të bashkëngjiten edhe kolegë të tjerë të cilët do të përzgjidhen në procedurë transparente”, tha Hoti.

Lidhur me funksionalizimin e departamentit special në gjykatën e shkallës së dytë ka folur, udhëheqësi i këtij departamenti, Vaton Durguti.

Durguti tha se themelimi i këtij departamenti ka qenë produktiv dhe se deri me tani kanë trajtuar 89 raste nga 90 të pranuara vetëm në gjykatën e Apelit.

“Deri më sot kur po flasim, i kemi trajtuar në procedurë paraprake prej 90 lëndëve janë të kryera 89 lëndë në penale të ndryshme në  aspektin e ankesave ndaj aktvendime të cilat merren në procedurë”, tha Durguti.

Sipas ligjit Departamenti Special i gjykatës do t’i gjykojë vetëm rastet të cilat biejnë nën kompetencën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Të gjitha rastet e ngritura nga prokurorët specialë do të gjykohen në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Për emisionin Drejtësia në Kosovë kanë folur edhe dy prokurorët specialë, Sylë Hoxha dhe Drita Hajdari.

Prokurori Hoxha ka thënë se themelimi i këtij departamenti e ka lehtësuar edhe punën e Prokurorisë speciale.

“Themelimi i Departamentit Special e ka lehtësu punën sepse tani e dimë se me cilin gjyqtar kemi punë, gjyqtar të procedurës paraprake apo edhe gjyqtarë të tjerë që merren me shqyrtimin apo me gjykimin e rasteve. Kjo na ka lehtësuar mjaft, se tash jemi afru në ndihmë plus fakti se Departamenti Special tash është vetëm pranë gjykatës Themelore në Prishtinë, pra nuk kemi nevojë të vrapojmë në gjykata tjera themelore, kështu që janë afru punët  dhe sigurisht që suksesi është më i madh në këtë drejtim”, ka thënë Hoxha.

Mendimin e njëjtë me prokurorin Hoxha, e ndanë edhe prokurorja speciale, Drita Hajdari.

Sipas Hajdarit, fakti se në këtë departament punojnë gjyqtar të caktuar e bënë punën me profesionale pasi të njëjtit do të specializohen në trajtimin e këtyre raste.

“Në situatë kur është formuar një departament që do t’i gjykojë rastet sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale situata ndryshon për arsye se tani kemi një grup të gjyqtarëve të cilët do t’i gjykojnë vetëm rastet nga kompetenca e Prokurorisë Speciale vetëm rasteve sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale që do të ndikojë në specializimin e tyre në fushat e caktuara, dhe besojmë se do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë së shqyrtimeve gjyqësore, në ngritjen e cilësisë së vendimeve gjyqësore, dhe përfundimisht do të ndikojë në rritjen e besimit të publikut për prokurorinë për gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në tërësi.