Ambasadori gjerman Jorn Rohde/ Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

Rohde: Faqja e MOM-it u kërkon mediave të zbulojnë pronësinë, ashtu siç ato kërkojnë transparencë nga qeveritë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka folur për bashkëpunimin e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me  “Global Media Registery” në lidhje me lansimin e faqes së internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.

Rohde ka thënë se “Global Media Registery” në partneritet me BIRN-in, u kërkon shtëpive mediatike të zbulojnë strukturat e pronësisë, ashtu si media kërkon transparencë nga qeveritë.

“Global Media Registry, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Gjermani, promovon transparencën në pronësinë e mediave në mbarë botën. Në partneritet lokal me BIRN-in, ai u kërkon shtëpive mediatike të zbulojnë strukturat e pronësisë ashtu si media kërkon transparencë nga qeveritë. Në Kosovë ka hapësirë të madhe për përmirësim”- ka shkruar Rohde në platformën “X”.

BIRN në bashkëpunim me “Global Media Registery” publikuan sot faqen e internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.

Në lansimin e këtij uebsajti, pëveç Rohde, ka marrë pjesë edhe Olaf Steefadt, drejtor Projekti në Regjistrin Global të Mediave, i cili tha se qëllimi kryesor i MOM-it është ofrimi i një baze të dhënash lehtësisht të qasshme dhe kuptimplote për publikun e gjerë jo vetëm për të zbuluar dhe ditur se kush zotëron çfarë.

“Qëllimi kryesor i Monitroimit të Pronësisë së Medias është shumë i thjeshtë , është ofrimi i një baze të dhënash lehtësisht të “qasshme dhe kuptimplote për publikun e gjerë jo vetëm për të zbuluar dhe ditur se kush zotëron çfarë, por edhe më shumë se çka do të thotë? Të ofrosh kontekst dhe shpjegim në lidhje me interesat politike, personale, ekonomike të pronarëve të mediave dhe të jemi të qartë, të jesh pronar i medias, do të thotë të kontrollosh opinionin publik”- është shprehur Steefadt.

Bazuar në një metodologji gjenerike, “Monitori i Pronësisë së Medias” (MOM) është zhvilluar si një ushtrim krijimi harte në mënyrë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe mediat më të rëndësishme në një vend.

MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka nën pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik.

Këtu gjeni ueb-sajtin e Monitorimit të Pronësisë së Mediave në Kosovë- LINK.