Rizvanolli për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është deklaruar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Ajo tha se si ministri nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare dhe se do të presin faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë.

“Ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare, do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë para se të shprehemi dhe do të jemi në kontakt me bordin në lidhje me zhvillimet atje”- tha ajo.

Rizvanolli më tej ka prezantuar disa lëndë, të cilat KEK-u i ka dorëzuar në Prokurori, e që sipas saj në asnjërin rast nuk është ndërmarrë asnjë masë.

“KEK-u gjatë mandatit tonë ka dorëzuar në prokurori më shumë se 20 lëndë ndër to, auditimi i kontratës së transportit të punëtorëve, auditimit i kontratës së minierës, auditimi i shitjes së skrapit, auditimi i pronave e banesave dhe aseteve përcjellëse, auditimi i kontratës për riparimin e punëtorisë elektromakinerike, i kontratës për riparimin e bllokut A4 dhe A5 në Termocentralin A” – ka thënë Rizvanolli.

“Dyshim për falsifikim në lidhje me tenderë, informata në lidhje me tenderin pa procedurë të shitjes së thëngjillit. Këto raste të dërguara nga bordet, menaxhmentet apo ministria në rastin e KEK-ut nuk është ndërmarrë asnjë masë nga Prokuroria” – shtoi ministrja.

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për ‘keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit’.

Arrestimi i kryeshefi të KEK-ut është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Në njoftim thuhet se Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuterë, 1 lap-top, 1 celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.