Rifat Jashari: Për hir të luftës e gjakut, të gjejmë një gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet tona

Me rastin e 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fjalën e  tij si përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ka uruar shëndet e mbarësi për ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se për të është nder e kënaqësi të jetë përpara Forcave të  Sigurisë së Kosovës.

Jashari ka bërë thirrje për bashkim sepse vetëm të tillë do të realizohen qëllimet shekullore.

“Sot UÇK-ja na ka bashkuar këtu për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme. Është nëj kënaqësi, krenari me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur Dem baba Dem. Iu uroj 25-vjetorin, shëndet e punë të mbarë, shpresojmë që t’i arrijmë qëllimet tona shekullore, për hir të luftës, gjakut, bijtë e bijave tona, të gjejmë një gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet. Lavdi dëshmorëve, lavdi të gjithë të rënëve”, u shpreh Jashari.

Këtë të diel bëhen 25 vjet që nga rrethimi i familjes së Jasharëve, në Prekaz të Drenicës.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”/RTVDukgajini/.