Rrëfimi për Avdullahun, fëmijën e Prekazit që u vra 26 vjet më parë
Bluza e Avdullahut të vrarë më 05.03.1998 nga forcat serbe në Prekaz të Poshtëm të Skenderajt, qëndron e varur në xhamin e vendosur në podrumin e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.
Po të njëjtën bluzë Avdullahu e mbante veshur kur u vra, e me po të njëjtën u varros. Pos Avdullahut atë ditë u vranë edhe 10 familjarë të tjerë të tij, nga 11 gjithsej, katër prej tyre ishin fëmijë. Kjo ishte njëra nga shtëpitë e para që u sulmua atë fillim pranverë kur forcat serbe nisën sulmin ndaj familjes Jashari.
“Atë ditë, Avdullahu kishte të veshur këtë bluzë, me të cilën edhe e varrosën. Katër vite më vonë, para se t’a rivarrosin, familja e mbajti bluzën e tij si kujtim”- nxjerret në pah rrëfimi i hidhur i Avdullahut përmes ekspozitës “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” të realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Rrëfimi i nxjerrë në këtë ekspozitë nuk përfundon këtu. Afër bluzës së Avdullahut qëndrojnë edhe pantallonat e shkurta të vëllezërve të tij, Bujarit e të Blerimit të cilët janë gjërat e vetme që kanë shpëtuar pasi shtëpia e tyre ishte djegur me gjithçka që kishte brenda dhe rastësisht këto pantallona i kishin lënë në shtëpinë e motrës së tyre, e cila jetonte në një fshat afër.
Ekspozita vë në pah që në njërën dhomë qëndronin gratë dhe fëmijët, përderisa burrat mbronin shtëpinë nga dhoma tjetër.
“Në mbrëmje të gjithë burrat u vranë, në mesin e tyre edhe Avdullahu, ndërsa në dhomën tjetër të vrarë mbetën edhe dy vëllezërit e tij, Bujari dhe Blerimi së bashku me nënën e tyre”- shkruan përkrah rrobave të vëna në xham.
Në njërin nga muret e bodrumit ku gjendet ekspozita për fëmijët e vrarë gjatë luftës janë të shkruar emrat e 1024 fëmijëve të vrarë dhe 109 fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Emrat së bashku me dhjetëra veshmbathje, libra, lodra e rreth 500 fotografi janë pjesë e ekspozitës.
Në pjesën qendrore të ekspozites gjendet “Dhoma e xhamit” në të cilën janë të vendosura disa nga sendet e fundit të mbetura nga 1,133 fëmijët e vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Në pjesën e quajtur “Dhoma e errët”, gjendet audio rrëfimi i Gramoz Berishës, njëri nga të paktët fëmijë të mbijetuar nga masakra në picerinë “Kalabria” në qytetin e Suharekës.
Ekspozita e realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe e hapur për vizitorë që nga muaji maj i vitit 2019. Në pamundësi që të dërgohet ekspozita në vende tjera, është krijuar edhe versioni online.
Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja e UÇK-së, që këtë vit shënon 26-vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.
Nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe në përgjithësi Drenica, shpeshherë ishin rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.
Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.
Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.
Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.