Ilustrim

Rekordet ditore me COVID-19 në kohën e ministrit Zemaj dhe ministrit Vitia

Sot në Kosovë është shënuar numër rekord i rasteve pozitive me COVID-19.

Nga 9 mijë e 581 mostra të testuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike 1 mijë e 765 kanë rezultuar pozitive me coronavirus.

Kështu dita e sotme është rekorde sa i përket numrit me raste pozitive me COVID-19.

Nëse krahasojmë situatën epidemiologjike sa Ministria e Shëndetësisë ka qenë nën drejtimin e ish-ministrit Armend Zemaj numri rekord i rasteve është regjistruar më 13 nëntor 2020.

Nga 2 mijë e 56 testime 963 kanë rezultuar pozitive me SARS-CoV-2.

Vlen të theksojmë se numri më i lartë i testimeve për COVID-19 është bërë gjatë 24 orëve të fundit nëse krahasojmë dy datat, 17 gusht 2021 dhe 13 nëntor 2020.

Tutje, aktualisht në Kosovë janë 10 mijë e 183 raste aktive ndërsa më 13 nëntor të vitit paraprak kanë qenë  10 mijë e 191 raste aktive.

Virusi SARS-CoV-2 është paraqitur në Kosovë për herë të parë më 13 mars të vitit të kaluar dhe për më tepër se një vit janë infektuar 116 mijë e 987 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 286 kanë vdekur si dhe 106 mijë e 157 janë shëruar.

Ndërsa sa i përket vaksinimit, Kosova është vendi i fundit në Evropë i furnizuar me vaksina.

Vaksinimi në nivel vendi ka filluar më 29 mars të këtij viti dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 601 mijë qytetarë, nga ta mbi 388 mijë vetëm me dozën e parë dhe mbi 213 mijë prej tyre kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.

Të vaksinuar komplet konsiderohen personat të cilët marrin dy doza të vaksinës COVID-19.