Mitrovice e Veriut, Foto: Luljeta Beselica, KALLXO.com, 01.06.2023

Regjistrimi i popullsisë në veri, ASK: Pati bojkot në masë të madhe

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se në katër komunat më shumicë serbe më veri të Kosovës është bojkotuar në masë të madhe procesi i regjistrimit të popullsisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati tha se përkundër kësaj, agjencia posedon të dhëna edhe për atë pjesë.

Sipas tij, do të shfrytëzohen të gjitha burimet që të dhënat për komunat në veri të jenë pjesë e raporteve finale.

“Në katër komunat në veri të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut pati bojkotim në masë të madhe. Sidoqoftë ASK-ja ka të dhëna edhe për atë pjesë dhe në raportet finale do të publikoj raportet edhe për atë pjesë. Një dallim më 2011 është se një pjesë e komunitetit serb në veri kanë marrë pjesë tani në proces. Ne do ta bëjmë një vlerësim të popullsisë në atë pjesë dhe do të publikojmë të dhënat finale. Do të shfrytëzojmë të gjitha burimet”- u shpreh ai.

Ai foli edhe për procesin e regjistrimit në komunat tjera në jug të Kosovës që janë të banuara me shumicë serbe.

Kastrati tha se sfida janë hasur në Komunën e Novobërdës.

“Në jug nuk kemi pas sfida në asnjë komunitet përveç të Komuna e Novobërdës, komuniteti serb. Por ASK-ja ka teknologji që e din cilat objekte janë regjistruar e cilat jo. Ato që ende nuk janë regjistruar janë me të kuqe dhe ne do të punojmë gjatë kësaj kohe”- u shpreh ai.

Sipas të dhënave preliminare që prezantoi sot [12.07.2024] Agjencia e Statistikave të Kosovës, në Mitrovicë të Veriut janë 2 mijë e 346 banorë, në Leposaviq 3 mijë e 207 banorë, në Zubin Potok 758 banorë dhe në Zveçan 435 banorë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Sipas të dhënave të publikuara në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë. Prej tyre, 795,046 meshkuj dhe 791,614 femra.

Derisa, regjistrimi për diasporën pritet të jetë i hapur deri në fund të muajit gusht.

Në 29 komuna pati zvogëlim të popullsisë, derisa në 9 komuna rritje të popullsisë.

Publikohen të dhënat preliminare, Kosova me 1,586,659 banorë