Këshilli Prokurorial paralajmëron reagime ligjore ndaj deputetit Adnan Rrustemi për deklaratat rreth Agron Bekës

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryetarit të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Adnan Rrustemi, të cilat i ka bërë në seancën plenare të Kuvendit të enjten.

Përmes këtij reagimi duke cituar deputetin Rrustemi se “z.Beka ka keqpërdorur detyrën dhe se ka ndikuar që përmes anëtarit të KPK-së të avancohet dhe se ndaj të njëjtit ka shumë procedura – kallëzime penale dhe civile, të gjitha të mbështetura në provat”, KPK ka kërkuar nga deputeti që këto pretendime me prova t’i deponojë në Prokurori, në të kundërtën ka paralajmëruar reagime ligjore.

KPK i ka cilësuar si shpifje dhe fyerje deklaratat e deputetit të LVV-së dhe se ato kanë për qëllim denigrimin e Agron Bekës dhe realizimin e interesave politike për të ndërhyrë në sistemin prokurorial.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, shpreh shqetësimin e thellë ndaj shpifjeve dhe fyerjeve të bëra nga deputeti Adnan Rrustemi në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ngase i njëjti, duke keqpërdorur besimin e qytetarëve, ka shpifur dhe propozuar iniciativë për shkarkimin e anëtarit të KPK-së, profesorit Agron Beka, duke vënë në lajthitje Komisionin dhe deputetët, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave politike për ndërhyrje në sistemin prokurorial veçanërisht para proceseve të rëndësishme që janë në vazhdim e sipër” – thuhet në reagimin e KPK-së.

Gjithashtu, përmes këtij reagimi Këshilli Prokurorial tha se nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës nga Agron Beka dhe se ai e kryen punën e tij me profesionalizëm.

Deklaratat e Adnan Rrustemit janë cilësuar si tendencioze dhe se inicimi i shkarkimit është bërë në bazë të letrave “nga njerëz të akuzuar nga Prokuroria”.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe të nderuar deputetë, Ju njoftojmë se, anëtari i KPK-së, z.Beka, për angazhimin e tij në KPK nuk ka asnjë vërejtje në ushtrimin e detyrës së tij, asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë. I njëjti me punën e tij dhe profesionalizmin e treguar ka ndihmuar dhe po ndihmon sistemin prokurorial dhe KPK-në në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese. Tendenca e djeshme nga deputeti në fjalë, duke mos e ruajtur aspak profesionalizmin, duke iniciuar procedurë për shkarkim në bazë të disa letrave nga disa njerëz të akuzuar tanimë nga prokuroria, që fare nuk kanë të bëjnë me KPK-në dhe duke dashur që t’ia imponojë Kuvendit edhe informatat shpifëse dhe fyese, dëshmon se kjo urrejtje dhe tendencë është për të ndërhyrë në institucionin e pavarur dhe kushtetues – në Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

Vendimi për inicimin e procedurës së shkarkimit të Agron Bekës ishte marrë në mbledhjen e 28 shtatorit nga Komisioni parlamentar për Legjislacion.

“Me 7 vota pro dhe 1 kundër është marrë vendimi për inicim të shkarkimit” – kishte njoftuar për KALLXO.com koordinatori i këtij Komisioni, Visar Krasniqi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të nesërmen me 29 shtator ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm në të cilin e ka cilësuar si “veprim të ngutshëm” dhe “tendencë të hapur politike për të ndërhyrë në funksionimin e rregullt dhe cenimin e mandatit kushtetues dhe ligjor të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës” miratimin e vendimit të Komisionit parlamentar për Legjislacion për inicimin e procedurave për shkarkim të Agron Bekës, anëtar i KPK-së.

Për më tepër KPK-ja përmes të njëjtës komunikate e ka akuzuar Kuvendin se nuk i ka shqyrtuar të gjitha provat të cilat janë relevante për këtë iniciativë të tyren, prova këto, të cilat, sipas KPK-së, anëtari i saj Agron Beka, i ka ofruar në takimin e jashtëzakonshëm, të cilat ky organ i ka vlerësuar se i demantojnë plotësisht të gjitha pretendimet e potencuara nga Komisioni.

Në shkresë përmendet se në mesin e “shumë provave voluminoze” që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione shtetërore, të cilët, sipas KPK-së, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. I njëjti organ i ka akuzuar këta zyrtarë për të cilët nuk ka ofruar asnjë të dhënë se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente.

Takimi i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku ka konstatuar se prezantimi i provave të lartcekura demanton të gjitha pretendimet e Komisionit.

Për më tepër KPK-ja e ka konsideruar Komisionin jokompetent për të shqyrtuar shkeljet e mundshme nga anëtarët e Këshillit.

“Hipotetikisht, edhe po që se do të kishte shkelje, qoftë edhe në të ardhmen nga ndonjë anëtar i KPK-së, organi apo institucioni i vetëm kompetent (në bazë të legjislacionit në fuqi) për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij, si institucion kushtetues dhe i pavarur”- thuhet në komunikatë.