Agron Beka i kërkon Gjykatës që ta obligojë IKD ta largoj lajmin ku i paditur është ai

Agron Beka, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, përmes avokates së tij Merita Stublla- Emini, ka kërkuar nga Gjykata e Prishtinës ta obligojë Institutin e Kosovës për Drejtësi – Betimi për Drejtësi, që ta largojë një lajm nga ueb-faqja e tyre.

Avokatja i kërkoi gjykatës që një vendim të tillë ta marrë menjëherë. Përfaqësuesja e Bekës, pretendon se kërkesa për caktimin e urdhëresës për largimin e lajmit në fjalë është e ligjshme.

Pala propozuese tha që IKD me qëllim që të dëmtoj autoritetin dhe reputacionin personal e profesional të Agron Bekës, ka shpërndarë lajm të pa vërtetë.

Sipas propozuesit, qëllimi i kundërshtarit të propozimit vërtetohet me faktin se përpos titullit me lajmin e pa vërtetë për vlerën 270 mijë euro, përmendet edhe fakti se propozuesi është anëtar i KPK-së.

Pala propozuese kundërshtoi në tërësi pretendimet e kundërshtarit të propozimit për largimin e lajmit.

“I kundërshtojmë në tërësi pretendimet e kundërshtarit të propozimit. Dhe në mes të tjerash në dy rrethana: e para, e quajnë lëshim, por në fakt pranojnë se kanë pasur dashje ose qellim të keq për ta dëmtuar propozuesin dhe pretendimi se kanë krijuar mekanizma të raportimit të drejtë dhe pa gabime është i pa qëndrueshëm për faktin që brenda të njëjtit artikull kanë gabuar lidhur me datën e seancës, kanë gabuar me emrin e gjyqtarit, kanë gabuar me objektin ose vlerën e kontestit, etj”- tha avokatja e Bekës, Stublla- Emini.

Tutje sipas saj nuk është zhbërë dëmi ndaj palës edhe pas intervenimit të disahershëm në përmbajtjen e tekstit i cili fillimisht ishte 270 mijë, pastaj 27 mijë, e pastaj 12 mijë.

“Intervenimit e tyre të disa hershme në përmbajtjen e tekstit fillimisht 270 mijë, 27 mijë, pastaj 12 mijë, por nuk e kanë zhbërë demin që ja kanë shkaktuar propozuesit” – tha Merita Stublla Emini.

Sipas avokates Stublla- Emini, pavarësisht intervenimeve në përmbajtje të tekstit, linku përsëri ka mbeturi i njëjtë.

Sipas palës propozuese si provë u prezantua një dokument i printuar ku në të ende ishte titulli “Katër dëshmitarë do të dëgjohen në rastin ku paditësi kërkon 270 mijë euro nga anëtari i KPK-së, Agron Beka”.

Pala propozuese tha që çështja e zbutjes së dëmit e parashtruar në përgjigjen e të paditurës është absolutisht e kontestueshme dhe është keqinterpretim i dispozitave ligjore.

“E dyta, çështja e zbutjes së dëmit e parashtruar në përgjigjen e të paditurës është absolutisht e kontestueshme dhe është keqinterpretim i dispozitave ligjore. Neni 12 i Ligjit civili kundër shpifjes dhe fyerjes në mënyrë shprehimore e përcakton se atij që i është shkaktuar dëmi mund t’i drejtohet KMSHK-së dhe KPM-së”- tha avokatja e palës propozuese.

Sipas kundërshtuesve të propozimit, kërkesa për vendosjen e masës dhe kërkesa për vendosjen e urdhrit mbetet e pa qartë, si në kuptim të përmbajtjes, ashtu edhe në kundërshtim me nenin 297 të Ligjit të Procedurës Kontestimore.

Tutje kundërshtarët e masës thanë që masa e sigurisë nuk mund të caktohet për ndryshimin e një rrethane e as për krijimin e rrethanave që dikush mund t`i kërkoj që eventualisht e mbështes padinë. E sipas tyre kjo kërkesë nuk mbështetet në Ligjin e Procedurës Kontestime.

“Masa e sigurimit nuk mund të caktohet për ndryshimin e një rrethane e as për krijimin e rrethanave që dikush mund t`i kërkoj që eventualisht ta mbështes padinë. Propozuesja e masës sot nga gjykata ka kërkuar një kërkesë e cila nuk mbështet me Ligjin e Procedurës  Kontestimore, sepse unë nuk dëgjova deri tani se me cilën kërkesë kërkohet ruajtja e gjendjes e cila do të mbështetej në Ligjin e Procedurës Kontestimore”- tha Kujtim Kërveshi, avokati i palës kundërshtuese.

Sipas tyre gabimi teknik ishte korrigjuar, dhe mbetet në vlerësim të teknologjisë informative se kujt i kanë mbetur lajmet e hapura paraprakisht.

“Kundërshtari i masës gabimin teknik e ka korrigjuar, është çështje e vlerësimit të teknologjisë informative se kujt dhe si i mbesin lajmet e hapura paraprakisht, dhe se për shumë çka që këtu u fol, në përmbajtje të petitiumit të padisë ne përveç një prove, nuk kemi pranuar ndonjë provë tjetër nga gjitha ato që u thanë në këtë seancë”- tha Kërveshi.

Tutje, Kërveshi kërkoi nga Gjykata që propozimi për masë nga propozuesja të refuzohet, pasi që sipas tij  i njëjti propozim për masë është i pa objekt dhe i kundërligjshëm.

“Propozimi për masë është i pa objekt, i kundërligjshëm për shkak se nuk mbështet në arsyet e sipër theksuara, andaj i propozojmë gjykatës që propozimin për masën ta refuzoj për shkak se propozuesi nuk e ka bërë të besueshme kërkesën, nuk i ka dhënë arsye gjykatës në mënyrë komulative se janë plotësuar të gjitha kushtet sipas nenit 297 të Ligjit për Procedurën Kontestimore”- tha Kërveshi.

Në prill të vitit 2022, Agron Beka kishte paditur Institutin e Kosovës për Drejtësi me platformën Betimi për Drejtësi, si dhe Ronesa Dragushën në cilësinë e raportueses – autore, për shpifje dhe fyerje.

Në këtë padi, paditësi Beka po kërkon nga Instituti i Kosovës për Drejtësi t`i paguaj shumën prej 100,000.00 euro me kamatë ligjore prej 8% në vit, prej dorëzimit të padisë në gjykatë në emër të shpifjes dhe fyerjes-dëmtimit të reputacionit personal, profesional, dëmtimit të dinjitetit, personalitetit.

Gjithashtu me këtë padi Beka po kërkon nga të paditurit e lartcekur që të tërhiqen në tërësi nga shkrimi me titullin “Katër dëshmitarë pritet të dëgjohen në rastin ku paditësi po kërkon 270 mijë euro nga anëtari i KPK-së, Agron Beka”.