Foto: ShSKUK

Reagon Kolegjiumi i Kirurgëve të Kosovës: Presidentja na nënçmoi dhe injoroi

Klinika e Kirurgjisë Abdominale ka lëshuar një reagim përmes Kolegjiumit të Kirurgëve të Kosovës për intervenimin kirurgjik të Presidentes Vjosa Osmani, të cilit i është nënshtruar jashtë SHSKUK-së.

Në një reagim publik ata e kanë quajtur injorim dhe nënçmim ndaj tyre dhe anashkalim ndaj institucionit të tyre.

“Injorimi dhe nënçmimi që presidentja i ka bërë Kolegjiumit të Kirurgëve e në veçanti institucionit mbi të cilin ajo udhëheq, është e papranueshme për të gjithë”. – thuhet në reagimin e tyre.

Intervenimi të cilit i është nënshtruar presidentja, heqja e tëmthit është rutinë ditore në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në SHSKUK që nga viti 1999, me 99.9% sukses thuhet në reagim.

Duke i dëshiruar shëndet të plotë presidentes, ata kanë uruar që raste të tilla të mos përsëriten nga institucionet zyrtare.

Drejtori i kësaj klinike, Ferat Sallahu për KALLXO.com tha se ky operacion është ndër operacionet më të lehta, të planifikuara, për të cilat pacienti mund të presë me vite për ta bërë.

Presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar të mërkurën një intervenimi kirurgjik.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës përmes një njoftimi në Facebook.

Sipas njoftimit, pas rekomandimit nga mjekët specialistë, presidentja i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. “Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca” – thuhet në njoftim.

Nga sot (3 nëntor), presidentja do të vazhdojë me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e presidentes si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.

“Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamentale për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me Kushtetutë” – thuhet në njoftim.