Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
KPK do t’i drejtohet presidentes me 'letër urgjente' për dekretimin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit
Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur sot ka marrë vendim që t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me një letër urgjente për dekretimin e Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.
Kështu ka bërë të ditur KPK përmes një njoftimi për media.
“KPK-ja aprovoi kërkesën për klasifikimin e vendeve të punës dhe ndryshim-plotësimin e Planit të personelit administrativ të sistemit prokurorial për vitin 2023 dhe propozimin për dërgimin e një letre urgjente te Presidentja e vendit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”- thuhet në njoftim.
Po ashtu, në mbledhjen e mbajtur sot KPK ka marrë disa vendime.
KPK ka marrë vendim për shpalljen e konkurseve për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga data 16 tetor deri më datën 3 nëntor 2023.
Lidhur me këtë janë themeluar panelet vlerësuese dhe komisionet përkatëse për rishqyrtim për këto dy konkurse.
“Anëtarët e KPK-së vendosën për shpalljen e brendshme për avancimin e dy prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe dy prokurorëve të tjerë në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”- thuhet në njoftim.
KPK-ja po ashtu, ka aprovuar dërgimin e propozimit te Presidentja e vendit për lirim nga detyra të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me rastin e pensionimin të tyre gjatë muajit nëntor 2023.
Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Me 11 vota pro Blerim Isufaj është nominuar për kryeprokuror të ri të Shtetit.
Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli i vitit të kaluar por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, kishte thënë se do të studiohet çdo detaj para vendimit për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit.
“Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, kishte thënë presidentja Osmani.
Madje Osmani kishte thënë se procesi i dekretimit nuk do të zgjaste.