Osmani në takim ministren Nagavci, flasin për sfidat në sektorin e arsimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me të cilën diskutuan për zhvillimet në këto fusha, sfidat më të shpeshta, si dhe planet për vitin e ardhshëm.

Me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të sektorit të arsimit, por edhe sektorëve të tjerë, në takim u potencua rëndësia e veçantë që luan në këtë drejtim bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional, thuhet në njoftimin që ka shpërndarë Presidenca në Facebook.

Në kuadër të Këshillit për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të udhëhequr nga presidentja, janë identifikuar një sërë çështjesh që e involvojnë sektorin e arsimit, prandaj gjatë takimit thuhet se janë  diskutuar prioritetet tashmë të adresuara si dhe për planet konkrete për vitin në vijim me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës me bazë gjinore./Rtklive