Reagon BE, largimi nga ENQA për faj të politikës
Zyra e BE-së në Kosovë ka reaguar ndaj vendimit të Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë që të mos vazhdojë anëtarësinë e Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
Në një deklaratë për media, shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova e fajësoi qeverinë dhe politikën për këtë situatatë.
Zyra e BE-së kujtoi vendimin e Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi të marrë me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017.
Ky shkarkim bëri që AKA të përjashtohet nga ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR) ndërsa të degradohet në ENQA.
“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në reagim.
Sipas tyre shumica e arsyeve të përmendur nga ENQA “mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’i siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme”.
Ata kanë bërë thirrje që qeveria e ardhshme ta marrë me urgjencë këtë çështje në mënyrë që kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë.
“Ne inkurajojmë Bordin e AKA-së që të adresojë rekomandimet e ENQA-së dhe të vazhdojë përpjekjet për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë. Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm të ndihmojë këtë proces”, përfundon njoftimi.
Dje KALLXO.com ka raportuar ekskluzivisht lidhur me mosvazhdimin e anëtarësisë së AKA në ENQA.