Rasti i gurit përkujtimor të Nënës Pashkë, Prokuroria e Gjakovës inicion rastin si vetëgjyqësi

Prokuroria e Gjakovës e ka iniciuar si vetëgjyqësi rastin e largimit të gurit të Nënës Pashkë nga vendi ku ishte dhe hedhjen e tij buzë rrugës, në një deponi mbeturinash.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Prokurori i rastit e ka intervistuar dhe më pas e ka liruar në procedurë të rregullt një person dhe e ka iniciuar rastin si vetëgjyqësi, i paraparë me Kodin Penal të Kosovës” – ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë.

Largimi i gurit përkujtimor nga vendi ku Nëna Pashkë Krasniqi Markaj kishte djegur veten dhe hedhja e tij buzë rrugës dhe në një deponi ilegale mbeturinash ka ngjallur reagime të shumta në opinion.

Pashke Krasniqi Markaj i kishte dhënë fund jetës më 27 maj 2003 pasi ia kthyen trupat e djemve, Gjovalinit dhe Milanit, të vrarë dhe zhdukur me forcë nga Serbia.

Djemtë e Nënës Pashkë ishin në mesin e 374 të vrarëve më 27 prill 1999 në masakrën e kryer nga forcat e Serbisë në fshatrat Mejë dhe Korenicë të Gjakovës.

E në vendin ku ajo kishte flijuar veten ishte vendosur një gur përkujtimor, të cilin, para pak ditësh, pronari i pronës e kishte larguar nga aty, e të premten guri është hedhur buzë rrugës, në një deponi mbeturinash.

Ky veprim ka ngjallur reagime të shumta në opinion.

E me rastin janë marrë edhe institucionet.

Nga Ministria e Kulturës kanë njoftuar se me të marrë informacionin për zhvendosjen e gurit përkujtimor kanë dërguar në terren zyrtarë të Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMMKM) dhe ajo që kanë bërë të premten është vendosja e gurit në Memorialin 27 Prilli në Mejë.

“Përkundër që ky memorial nuk është në mbrojtje dhe nuk është nën menaxhim të Agjencionit të Memorialeve të Kosovës, Ministria e Kulturës në momentin e pranimit të informatës për largimin e tij, duke ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë që ka kjo ngjarje, ka dërguar në terren ekipin e Agjencisë së Memorialeve për të verifikuar gjendjen” – ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com këshilltarja e ministrit të Kulturës, Zana Fetiu.

Ajo ka cituar një raport të hartuar nga Agjencia lidhur me rastin, i cili tregon se rasti është proceduar të premten në organet e sigurisë dhe drejtësisë.

E zëdhënësi i Policisë në Gjakovë e ka konfirmuar intervistimin e një personi i dyshuar për largimin e gurit, dhe lirimin e tij në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në raportin e AMMKM përmenden edhe planet për të ardhmen për këtë objekt kujtese.

“Ekipi i AMMKM-së me autorizim të drejtorit të Agjencisë, ekipi ka dalë në terren me datë 25 korrik 2023 për t’i kryer matjet e nevojshme dhe piketimin e gurit, veprime të cilat do të nevojiten për hapa të mëtutjeshëm. Me matjet e siguara ekipi ka hartuar skicën e projektit me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të këtij monumenti” – thuhet në raport.

Gjithashtu, aty theksohet se i gjithë procesi është bërë në koordinim dhe në pajtueshmëri me familjen e Nënës Pashke.

E nipi i Nënës Pashke është shprehur tejet i prekur dhe i rënduar nga veprimi i pronarit të tokës ku ishte guri përkujtimor.
“Jemi shumë, shumë të prekur dhe njëlloj besojmë edhe popullata e gjerë” – ka thënë Liridon Marku për KALLXO.com.