Raportoi se u grabit dhe e lidhën për veture, Policia zbulon se rasti u inskenua

Një informacion i marrë gjatë ditës së djeshme nga Policia e Rajonit të Pejës se një personit i janë grabitur 3 mijë euro dhe e kishin lidhur me litar për veture është zbuluar se ka qenë inskenim.

Policia ka njoftuar për arrestimin e personit nën dyshimin se ka deklaruar rrejshëm për rastin që i kishte ndodhur.

Policia e Rajonit të Pejës ka njoftuar se që nga dita e djeshme janë kryer disa hetime pas marrjes së informacionit se një grabitje ka ndodhur në rrugën Deçan- Gjakovë ndërsa një burrë e kishin lidhur me litar pranë një automjeti.

Burri i lidhur me litar kishte thënë në Polici se derisa ishte duke vozitur në drejtim të Deçanit është ndaluar nga tre persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët i kishin grabitur 3 mijë euro.

Pas kësaj deklaratë hetuesit policorë kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme ndërsa është njoftuar edhe Prokuroria në Pejë.

Gjatë zhvillimit të hetimeve është zbuluar se burri i cili ka paraqitur veprën penale të grabitjes, e kishte inskenuar rastin dhe ka kryer deklarim të rremë.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit.