Raportimi i KPM-së në Komisionin parlamentar për Media, Agim Veliu: Sikur po i vjen era diçka kësaj pune

Pa u bërë tri ditë që kur Komisioni i Pavarur për Media riktheu kanalet sportive të “Arena”, Komisioni parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka thirrur në raportim Komisionin e Pavarur për Media.

Por, deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka kërkuar shtyrjen e kësaj mbledhje.

“Nuk kemi raport të shkruar për çfarë po kërkohet me raportu dhe për çfarë kohe do të raportohet. Dikush ka pa ëndërr promë hajdeni se dikush duhet me raportu . Unë nuk kam njohuri lidhur me këto”- ka thënë ai.

Njëjtë ka kërkuar edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu.

Aliu e ka konsideruar “njëfarë urgjence” thirrjen e kësaj mbledhje për raportim të Komisionit të Pavarur për Media.

“Ky takim është thirrë me njëfarë urgjence sikur po i vjen era diçka. Përmes njoftimit që kur do të mbahet mbledhja unë nuk kam kurrfarë materiali tjetër, kërkon shtyrjen e takimit”- ka thënë ai.

Deputetja Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nënshkrimet janë dhënë nga katër deputetë për raportimin e KPM-së në Komisionin për Media.

“Urgjencat i ka përcaktu Rregulloja e Kuvendit, nënshkrimet i kanë dhënë katër deputëtë, m’u ka kërku nënshkrimi nga Nijazi Isaku. Unë nuk e di çfarë ëndrra sheh Isak Shabani, katër nënshkrime të deputëteve nuk barazohen me ëndrra të askujt”- tha ajo.

Ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thirrjen e mbledhjes për raportim te Komisioni i Pavarur për Media e ka quajtur si ‘presion politik’.

“Ne i kemi thirrë anëtarët e KPM-së për një raportim të shpejtë. Krejt po e dimë për çka. E shoh si presion politik prej këtyre këtu (drejtuar anëtarëve të KPM-së) – ka potencuar ai.

Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) në mbledhjen e 6 shkurtit të këtij viti ka shfuqizuar vendimin e tij  të marrë më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.

Kjo çështje nuk kishte qenë e pjesë e agjendës së ditës, por ishte propozuar tek pjesa e “të ndryshme”, pas përfundimit të pikave të tjera të rendit të ditës.

Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.

Në mbledhjen e në fjalë, vetë KPM-ja e shfuquzoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.

Shfuqizimi i vendimit të KPM-së erdhi një ditë pasi MINT njoftoi se ka nxjerrë vendim përmes të cilit ka lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Lidhur me çështjen e operatorëve kabllorë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.