Foto-ilustrim

Raportim i rremë për gjoja një person të vrarë në lagjen "Dardania" në Prishtinë

Një lajm për kinse dyshimet për një person të vrarë ose të vdekur në lagjen “Dardania” në Prishtinë është publikuar më 05.03.2024 nga disa portale në Kosovë.

Pasi e kanë kuptuar se kanë publikuar një lajm të rremë, shumica e portaleve e kanë fshirë lajmin.

Se informacioni është i pasaktë, për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, në rrugën “Ilaz Kodra” janë duke u bërë xhirime.

“Këto xhirime janë aprovuar nga menaxhmenti i Policisë“ – ka thënë për KALLXO.com Flora Ahmeti.

E Musa Ademi, regjisor dhe producent i serialit që po xhirohet, tha për KALLXO.com se për këto xhirime kanë marrë leje nga Policia e Kosovës dhe “Prishtina Parking”.

“Ideja e këtij seriali është dramë-aksion. Ky është pilot-episodi i parë që jemi duke e xhiru. Për këtë kemi marrë leje prej “Prishtina Parking”, prej Policisë. Në të njëjtën kohë e kemi ftu edhe mjekësinë ligjore për shkak të konceptit të serialit” – tha Ademi.

Portalet kanë publikuar video e foto, duke njoftuar për kinse “dyshime për një person të vrarë“, “dyshime për një trup të pajetë në një parking”…

(Shënim: Ky artikull është edituar, me ç’rast është përfshirë edhe deklarata e regjisorit Musa Ademi. Koha e editimit 05.03.2024, ora 20:10.)