Edi Rama sot në Kosovë, në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot do ta vazhdojë me Kosovën vizitën e tij zyrtare dy ditore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rama mëngjesin e së enjtes ka publikuar agjendën e tij takimeve të tij, në të cilën bëhet e ditur se sot do të zhvillojnë një takim bilateral me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin me fillim në ora 16:00.
Më pas ai do të vazhdojë për në Kuvend, ku do të takohet me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca në orën 17:15.
Për takim me kryeministrin Albin Kurti, sipas agjendës së publikuar nga Rama, thuhet se është në pritje të konfirmimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën e ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.
Kjo pasi që mbledhja e planifikuar më 14 qershor në qytetin e Gjakovës ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, arysetimin se “në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, pas zhvillimeve në veri të Kosovës.
“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa atë mbledhje” – tha Kurti në konferencë për media.
Ndërkaq, Rama nuk ka pranuar të komentojë ‘kushtëzimin’ e takimit të tij me kryeministrin Kurti nga ana e këtij të fundit.
Në një konferencë për media derisa fliste për disa vendime të qeverisë së tij, Rama nuk ka pranuar të komentojë, pasi u pyet nga gazetarët atje.
“Nuk jam në lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendim. Për sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur, që është nesër në Prishtinë” – ka thënë shkurtimisht Rama.
Pasi u pyet nga gazetarët edhe për ‘Ballkanin e Hapur’, Rama nuk pranoi të përgjigjet dhe u largua menjëherë nga konferenca.
Kurti kushtëzon takimin me Ramën, kërkon paraprakisht mbledhjen e dy qeverive