Rama: Probleme me kulmin e komunës ka pasur edhe në vitin 2017

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se probleme me kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, që u që u rrëzua javën e kaluar, ka pasur edhe në vitin 2017.

Rama në një konferencë për media, ka prezantuar një raport të hartuar nga arkitektët Visar Geci dhe Gëzim Kastrati, sipas të cilit raport, punimet nuk kanë qenë të kryera sipas standardeve.

“Problemi me kulm ka qenë edhe më parë, ka ndodhur në vitin 2017. Kam ftuar mënjëherë që të bëhet një ekspertizë urgjente dhe të bëhet një analizë preliminare, për me ditë se çka e ka shkaktuar këtë problem” – ka thënë Rama para gazetarëve.

I pari i Prishtinës tha se pas veprimeve të Policisë dhe Prokurorisë, Komuna e Prishtinës ka vazhduar me inspektimin e vendit të ngjarjes, e gjetjet në fund, sipas Ramës, do të bëhen publike në një raport tjetër.

Ai tha se është kuptuar kush ka qenë kompania që ka kryer punimet herën e fundit, po që emrin e saj nuk e bëri publike.

“Po, por kjo do të jetë pjesë e raportit, e hulumtimeve që do të vie si rezultat i këtij vlerësimi total të këtij procesi”.

Përparim Rama po ashtu tha se kompania që ka kryer punime në vitin 2023 në pjesën e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, nuk ka kryer asnjë punim në strukturën e kulmit, e cila është rrëzuar.

Një vajzë 23-vjeçare ka mbetur e lënduar rëndë si pasojë e rënies së kulmit në objektin e ri të Komunës së Prishtinës, gjatë së enjtes së javës së kaluar.

Lidhur me arsyetimet se era e fortë e rrëzoi çatinë e komunës, këtë e demantoi Instituti Hidrometeorolgjik i Kosovës (IHMK).

IHMK-ja kishte publikuar të dhënat për shpejtësinë e erës në kohën kur ndodhi shembja e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, e sipas tyre, niveli i shpejtësisë së erës, nuk mund të shkaktojë dëme.

“Në intervalin kohor prej orës 00 deri në orën 23:55 ka regjistruar shpejtësinë maksimale 9.8m/s ( 35.2km/h). Shpejtësia max 9.8m/s  (35.2km/h),u regjistrua në orën 13:05. Shpejtësia e erës e regjistruar dje 9.8m/s, i përgjigjet shkalles së Boforit 5, që d.m.th erë mesatarisht e fortë (drunjtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizë flamujt e të ngjashme), që d.m.th se kjo shpejtësi e regjistruar nuk mund të shkaktoj kurrfarë dëme”- thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorolgjik të Kosovës.

23-vjeçarja që u lëndua nga çatia e Komunës së Prishtinës i nënshtrohet një operacioni