Çatia e Komunës së Prishtinës - Foto: KALLXO.com

23-vjeçarja që u lëndua nga çatia e Komunës së Prishtinës i nënshtrohet një operacioni

23-vjeçarja e cila u lëndua nga çatia e objektit të ri të Komunës së Prishtinës në lagjen “Arbëria” që ra sot në rrugë është duke iu nënshtruar një operacioni nga neurokirurgët.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu.

“Ju konfirmojmë se aktualisht, pas CT-së së dytë kontrolluese, pacientja po i nënshtrohet një operacioni nga neurokirurgët në sallën emergjente” – tha ai.

Tutje Fazliu shtoi se pas operacionit pritet të transferohet në mjekim intensiv për trajtim të mëtejmë.

Për rastin reagoi edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ka kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente dhe se lutet për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë.

“Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor” – tha ai.

Kryetari i Prishtinës po ashtu kërkoi nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.

KALLXO.com ofroi pamje pas rënies së çatisë.

Zyrtarë të Komunës po dyshojnë se kulmi u hoq si pasojë e një ere të fortë që përfshiu këtë pjesë të qytetit.

Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë e Kosovës kanë njoftuar se kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur rastin e rënies së çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

Ajo ka thënë se prokurori i shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.