Rama për gjykimin e krerëve të UÇK-së: Luftuan kundër spastrimit etnik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerëson si absurde mbajtjen në qeli të ish-krerëve të UÇK-së, raporton RTSH.

Rama nga Italia, ku edhe u mbajt takimi i radhës së liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”, ka thënë se ish-krerët e UÇK-së luftuan kundër spastrimit etnik, ndërsa sot janë prapa hekurave pa asnjë akuzë.

“Ka diçka shumë të madhe që nuk shkon me këtë proces. Mbetem i mahnitur në sensin më negativ nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebelimi ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë, akuzohen si kriminelë lufte”- deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar ka krahasuar ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me presidentin aktual të  Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, teksa shprehet se rasti i ish-krerëve të UÇK-së e bën të mendojë se një ditë edhe ai, që sot shihet si një hero, mund të shkojë prapa hekurave.

“Njeri që vetë presidenti i SHBA-së dhe deri dje një nga figurat kryesore të senatit amerikan, Joe Biden e pagëzoi si George Uashington i Kosovës, është sot parapa hekurave dhe i mbyllur brenda pa akuzë, gjë që është jashtë çdo lloj imagjinate në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe kombëtare dhe do të duhet të përballet me një proces që mua më bën të mendoj mos vallë ky duhet të jetë fati i Presidentit Zelensky pas disa vitesh? Edhe pse ka një ndryshim sepse Zelensky është një komandant i një ushtrie të rregulltë. Një ditë mund ta shohim këtë hero që sot të gjithë e admirojmë, prapa hekurave”- theksoi ai.

Rama ka thënë se ajo që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, po kalojnë është diçka e tmerrshme, duke shtuar se “Kjo betejë është e barabartë me betejën me armikun atëherë, edhe pse kjo është tjetër gjë se është betejë me mikun”.

“Ajo që po kalojnë ata është diçka që mund ta përkufizoja me fjalën e tmerrshme, pro nga ana tjetër kanë sfiduar sensin e përgjithshëm edhe më parë, e kanë sfiduar në një mënyrë shumë ekstreme kur kanë menduar të veprojnë për të pavarësuar Kosovën atëherë kur askush nuk e qaste fare si ide”- tha Rama.

“Diçka heroike që sot shumëkush e harron dhe nuk janë të gjithë ata që e mendojnë sot se pa Hashim Thaçin dhe ata që janë atje dhe pa heronjtë, dëshmorët dhe protagonistët që dhanë jetën për UÇK, sot askush nga ata që i japin gojës pa fre, nuk do kishin gojë fare sepse nuk do i linte njeri të hapnin gojën. Kjo betejë është e barabartë me betejën me armikun atëherë, edhe pse kjo është tjetër gjë se është betejë me mikun”- shtoi ai.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit më në fund fillon sot, më 3 prill.