Rama pas takimit me Macronin: Kjo është vizitë për të thelluar marrëdhënien mes Francës dhe Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë të përbashkët me presidentin e Francës, Emmanuel Macron tha se është shumë i lumtur që është krah presidentit francez, në Tiranë.

Duke e quajtur mik të çmuar, Rama ka thënë se kjo vizitë më tepër sesa formale është vizitë miqësore.

“Kjo vizitë është shumë më tepër sesa një vizitë formale, është një vizitë miqësore dhe një vizitë angazhimi për të thelluar më tej marrëdhënien mes Francës dhe Shqipërisë, që po të shikojmë, të gjitha të dhënat konkrete kanë njohur një zhvillim të papritur dhe të shumëpritur në vitet e fundit, si rezultat i angazhimit të Francës në rajon”- ka thënë Rama.

Tutje ai tha shpreson që Macron do të udhëheqë një proces riangazhimi të BE në funksion të ribashkimit të Europës.

“Jam shpresë plotë që Macron do të udhëheqë një proces riangazhimi të BE në funksion të ribashkimit të Europës për të ndërtuar dy binarë të një treni ku në një anë çdo vend të bëjë detyrat e shtëpisë dhe nga ana tjetër marrëdhëniet e BE dhe çdo vendi dhe marrëdhënie shumë të thella me impakt të drejtpërdrejt në ekonominë tona dhe në shoqërinë tona”- u shpreh Rama.

Ndërsa, ka përmendur edhe numrin e turistëve francezë që kanë vizituar Shqipërinë vitin e fundit.

“80 mijë turistë francezë kanë vizituar Shqipërinë deri tani dhe mund të shtohet deri në fund të 2023-tës. Prania më e madhe e turistëve është arsye për të besuar se në këtë angazhim, baza e njohjes së ndërsjellë po fuqizohet nga qytetarët”- ka thënë Rama.

Në ambientet e Kryeministrisë, Emmanuel Macron së bashku me Ramën, si edhe në praninë e ministrave dhe zyrtarëve nga kabinetet e të dy qeverive, kanë nisur nënshkrimin e disa marrëveshjeve bashkëpunimi mes dy vendeve.

Macron mbërriti në Tiranë mbrëmjen e së hënës, ku ia dhuroi një dekoratë të lartë të Republikës së Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderi” shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.

Sot ai është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kjo është hera e parë që një president francez viziton Shqipërinë.

Macron kishte konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e Procesit të Berlinit, por shtyu me disa orë mbërritjen në Tiranë.

Sipas mediave franceze, shkak për shtyrjen e vizitës u bë vrasja e mësuesit dhe konflikti mes Izraelit dhe grupit militant, Hamas.