Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama: KFOR nuk pritet të dalë me të dhëna publike për vendndodhjen e policëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka renditur pesë pika të cilat kanë të bëjnë më situatën e kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Sipas Ramës, KFOR-i nuk pritet të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.

Ai ka thënë se qysh dje janë të fokusuar 100 përqind në lirimin e tyre.

“De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”- ka shkruar ai në Twitter.

Postimi i plotë i Ramës:

  1. Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
  2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!
  3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!
  4. Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!
  5. De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të mërkurën se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

KFOR-i dje ka reaguar në lidhje me rastin e kindapimit të 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet policore serbe, duke thënë se janë në kontakt me autoritetet e Serbisë për të marrë informacione se çfarë ka ndodhur me rastin e tre policëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor dje në kufirin Kosovë-Serbi, në Leposaviq.

Kurti, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se janë rritur kontrollet gjithashtu në pikë-kalimet kufitare me Serbinë.