Edi Rama dhe Albin Kurti, Foto: ZKM

Rama i shqetësuar me krizën energjetike në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar nga Ministria e Energjisë në qeverinë e tij që t`i shoh mundësitë për të ndihmuar Kosovën për krizën energjetike të javës së fundit.

Përmes një postimi në twitter, kryeministri shqiptar është shprehur i shqetësuar për krizën me të cilën po përballet Kosova.

“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga Ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve”, ka shkruar Rama.

Kosova tash e disa ditë është duke u përballur me krizë energjetike si pasojë e së cilës është duke u aplikuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike.

Ndonëse plani është që 8 orë të ketë furnizim ndërsa 2 orë jo, në disa vendbanime ka pasur reduktime më të gjata.

Për shkak reduktimeve të cilat nganjëherë kanë shkuar edhe në 20 orë pa energji, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë që do ta dërgoj një dosje në polici.

Kuvendi i Kosovës sot po mban një seancë të jashtëzakonshme lidhur me krizën e energjisë në vend.