Rama i shkarkon gjashtë ministra dhe i propozon zëvendësuesit e tyre

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka shkarkuar gjashtë ministra dhe i ka propozuar zëvendësuesit e tyre, në një ndryshim rrënjësor të kabinetit qeveritar shqiptar të hënën, në pritje të dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë së tij Socialiste më 4 shtator, Rama i bëri të ditur edhe për krijimin e një ministrie të re. Ai do t’ia paraqesë për dekretim këto ndryshime presidentit Bajram Begaj të martën.

Gjatë një fjalimi Rama theksoi se “nuk u ka borxh asnjë prej zyrtarëve socialistë që futen në telashe me drejtësinë”, dhe se asnjë prej tyre nuk duhet të fshihet pas flamurit të partisë që ai drejton.

Rama e shkarkoi ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe propozoi emërimin e Igli Hasanit në vend të saj, ish-ambasadorit të Shqipërisë në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.

Largimi i Xhaçkës vjen në kohën kur Shqipëria sapo ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Gjithashtu, u shkarkua nga detyra ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Ajo do të zëvendësohet nga Anila Denaj, e cila më herët ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar si ministre e Ekonomisë dhe Financave.

Delina Ibrahimaj nuk do të jetë më ministre e Financave dhe Ekonomisë, pasi u emërua ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, duke zënë vendin e Edona Bilalit, që u shkarkua nga ky post sot.

Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të vijë Ervin Mete, i cili ka qenë më herët zëvendësministër i Financave, dhe aktualisht drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor u shkarkua nga detyra ministrja e Arsimit, Evis Kushi, për t’u zëvendësuar me Ogerta Manastirliun.

Ndërkaq, vendin e lënë bosh prej saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e zë Albana Koçiu, aktualisht drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike.

Rama vendosi ta shkrijë Ministrinë e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, që drejtohej nga Milva Ekonomi, në një ministri të re; Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor, që do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, aktualisht nënkryetar i bashkisë së Tiranës.

Kryeministri tha se “kryebeteja e PS” është Shqipëria evropiane.

Më 8 korrik të këtij viti, Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe emëroi në vend të tij Taulant Ballën. Këto ndryshime ishin paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama edhe gjatë një mbledhje joformale të qeverisë gjatë muajit gusht.

Ai pati deklaruar se do të ketë një vetëreformim të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së drejtuar prej tij.

“Do të ketë një riorganizim dhe rikonceptim. Sesionin e ri ta nisim me një puls të ri, por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke theksuar rolin e zëvendësministrave, duke i përfshirë në vendimmarrje e edhe drejtues të agjencive të rëndësishme. Vetëreformimi është një riorganizm i procesit qeverisës në funksion të rritjes së efiçencës dhe kapaciteteve për të arritur rezultate të shpejta”, kishte thënë Rama më 29 korrik.

Asambleja e Partisë Socialiste bëri ndryshime në të gjithë sekretariatin dhe ndryshimet pritet të miratohen në Kongresin e kësaj partie, që pritet të mbahet në fillim të muajit tetor./REL