Rama: Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se i kupton rezervat e Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ka theksuar se i mirëkupton kërkesat e aleatëve për themelimin e tij.

“Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët”, ka shkruar ai në Twitter.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës shtyrjen e vendimit për targat dhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pas situatës së krijuar dy ditët e fundit në veri, ku serbët vendosën të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.