Qytetari - Në ambulantë nuk ka fasha, kandidatja e PDK-së flet për ndryshime në shëndetësi - VIDEO

Gjatë një debati zgjedhor të mbajtur sot në Mitrovicë në mes të kandidatëve për deputetë të disa partive, një qytetar që ishte në publik u ankua se gjatë një vizite në ambulantën e qytetit, nuk kishte fashë për ta mjekuar gishtin e tij.

Qytetari iu ankua kandidates së PDK-së, Besa Ismajli, se shëndetësia në Kosovë është një katastrofë.

“Rasti tjetër, unë vet gishtin e kam pas të prerë, në ambulantë fashë nuk ka pasë me ma lidh gishtin, e kam qit gishtin në duhan për me ndalu gjakun, fashë nuk ka pas. E po thuani që shëndetësia mirë, e jo, katastrofë e madhe është, katastrofë. Motrën e kam pasë në spital, prej infraktit dhe për stenda. Edhe as nuk e kanë këqyr as kurgjo. Është dasht me e qu në spital privat. Në spitalin privat krejt ata mjekët që kanë qenë aty. Edhe që po thojnë një javë, një muaj, dy muaj për stendat, ndër 6 muaj nuk ka shansë me i marrë stendat. Edhe tjetra, krevatet që i morën. Ju së pari thuani po e ndalojmë korrupsionin, e mandej qato paret e korrupsionit munden me shku në shëndetësi, arsim e krejt. Me korrupsion jeni deri në fyt, një dekadë e gjysmë e keni udhëheq këtë shtet, ishalla mas sotit bohet mirë”, u shpreh qytetari.

E kandidatja Besa Ismajli iu përgjigj duke thënë se dy vitet e fundit në sektorin e shëndetësisë është punuar më shumë se asnjëherë më parë. Sipas saj, nuk bën ‘me ia hangër hakun PDK-së’.

“Ashtu sikur ju jemi të gjithë. Por një gjë është më se e qartë, hakun nuk bën me ia hangër. Ajo se çka qëndron, qëndron, se ndryshime që janë bërë në sektorin e shëndetësisë këto dy vitet e fundit nuk janë bërë asnjëherë më parë, jo vetëm në aspektin e investimeve kapitale, por në radhë të parë në përformancën e personelit shëndetësor në të gjitha nivelet. Mendoj se këtë e dëshmojnë më së miri të gjithë pacientët që marrin shërbime dhe që vazhdojnë t’i marrin, nëse i krahasojmë me herat e tjera. Synimet e PDK-së janë zhvillimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm”, është përgjigjur Ismajli.

Debati është transmetuar live në KALLXO.com – LINK