Vjosa Osmani: Qeveria duhet të formohet në përputhje me vullnetin qytetar
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar formimin e qeverisë së re në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Këto deklarime i ka dhënë ajo në një postim në Facebook, pas takimit me të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Sot në LDK kishim kënaqesinë të mirëpresim të dërguarin e Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. Zhvillimi ekonomik dhe perspektiva për rininë në Kosovë duhet të jenë parime udhërrëfyese për hapat që ndërmarrim, qoftë në raportet tona të brendshme, qoftë në ato me fqinjët tanë”, ka shkruar Osmani.
“Shpresoj të thellojmë bashkëpunimin me Ambasadorin Grenell në qeverinë e re, e cila duhet të formohet në përputhje me vullnetin qytetar të shprehur me 6 tetor”, ka thënë në fund Osmani.
LVV dhe LDK edhe pas më shumë se 100 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, nuk kanë arritur një ujdi për bashkëqeverisje.
LDK ka kërkuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës deri në marrjen e postit të presidentit ndërsa LVV i ka ofruar 6 ministri dhe postin e presidentit.